U kap duke ndezur zjarrin, policia ndjek nga pas dhe arreston 26-vjeçarin në Shqipëri

Shqipëria

U kap duke ndezur zjarrin, policia ndjek nga pas dhe arreston 26-vjeçarin në Shqipëri

Më: 1 gusht 2023 Në ora: 21:22
Momenti i kapjes nga policia

Një 26-vjeçar është kapur në flagrancë duke ndezur zjarr në fshatin Radhimë të Vlorës i cili rrezikonte të përhapej në një sipërfaqe të madhe toke me bimësi dhe afër banesave në fshatin Radhimë.

Pas ndjekjes ai u prangos ndërsa gjatë kontrollit iu gjet edhe një sasi lënde kanabis sativa, ndërsa për rastin reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama iu kërkoi sot prokurorëve dhe gjykatëvsve të zbatojnë ligjin me përpikmëri në hetimet ndaj zjarrvënësve.

“Një tjetër zjarrvënës i arrestuar në flagrancë nga Policia e Shtetit dhe një tjetër arsye për ta përsëritur apelin ndaj prokurorëve e gjykatësve në rrethe, që të zbatojnë me përgjegjshmëri ligjin, i cili parashikon deri në 15 vjet burg për këtë soj kriminelësh”.

“Edhe njëherë përgëzime Policisë së Shtetit për punën shumë të mirë që po bën në këtë front të mbrojtjes së një pasurie kolosale, të krijuar nga breza të tërë për brezat e ardhshëm”, shkroi Rama.

Për zjarrvëniet në vend, Rama reagoi edhe një ditë më parë ku u tregua i ashpër ndaj prokurorëve, ku tha se mungon ndëshkueshmëria e plotë, “si pasojë e qasjes skandaloze dhe paturpësisht të papërgjegjshme të disa prokurorëve e gjykatësve nëpër rrethe”.

Disa persona janë arrestuar ditët e fundit, si autorë të dyshuar të disa zjarreve në Lushnjë, Durrës Rrogozhinë e Vlorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat