Artan Fuga zbardh prapaskenat e forta për darkën e Mitsotakis: Presidenti Begaj nuk mund të përdorej si Kalë Troje

Shqipëria

Artan Fuga zbardh prapaskenat e forta për darkën e Mitsotakis: Presidenti Begaj nuk mund të përdorej si Kalë Troje

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 12:10
Artan Fuga

Akademiku Artan Fuga e ka cilësuar të drejtë refuzimin e Presidentit të Republikës Bajram Begaj për të marrë pjesë në darkën e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis me liderët e Ballkanit Perëndimor në Athinë.

Në një shënim në “Facebook”, Fuga analizon çështjen dhe arsyet e qëndrimit të palës shqiptare lidhur me këtë samit ku do të marrin pjesë dhe Von der Leyen dhe Charls Michel.

Për Fugën, Presidenti Bajram Begaj bëri shumë mirë që nuk vajti në Athinë sonte, pasi ftesa ishte me spec.

Postimi i plotë

Shënim!

Presidenti Bajram Begaj nuk mund të përdorej si Kalë Troje!

Sigurisht nuk mund të pranonte të shkonte në takimin e Athinës, i ftuar vetëm për të provokuar kryeministrin e tij!

Në dy a tre ditë e fundit në media, rrjete sociale, si edhe në deklarata politikanësh, sigurisht edhe në këndvështrimin e shumë influencuesve të opinionit publik ka zënë vend ftesa që kryeministri Micotaqis i ka bërë Presidentit Bajram Begaj për të marrë pjesë në një darkë informale në Athinë, ku do të diskutohet për perspektivat evropiane të Ballkanit.

Më shumë se ftesa e bërë, e cila në kushte të tjera do të kishte qenë një gjë e bukur dhe shumë e vlefshme, vëmendjen e zuri fakti që Presidenti i Shqipërisë, zoti Bajram Begaj, e refuzoi ftesën, gjoja diplomatikisht. Tha se nuk do të merrte pjesë meqë kishte planifikuar për sot në darkë një gjë tjetër shumë të rëndësishme!!!
Besoj se shërbimet e Presidencës shqiptare do ta kenë shumë vështirë, pasi shpikën këtë pretekst, t’i gjejnë sonte ndonjë veprimtari kaq të rëndësishme Presidentit, sa të justifikohet mungesa e tij në darkën në Athinë. Nuk besoj se do ta gjejnë dot sado ta vrasin mendjen. Çfarë gjëje më të rëndësishme mund të kishte sonte Presidenti i Shqipërisë sa të mos shkonte dot në një takim ku veç drejtuesve të shteteve të Ballkanit, është edhe drejtuesja e Bashkimit Evropian, pra pjesëmarrja në një takim kaq të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Ballkanit.

Nga kjo pikëpamje, nëse përgjigja është vetëm një pretekst, pra një arsye e gjetur diplomatike për të mos vajtur pa e thënë troç se përse nuk vij, mendoj se duhej gjetur diçka tjetër, më e zgjuar, më e mençur, më e përpunuar, dhe jo një përgjigje që gjithsesi nuk i shërben reputacionit të Presidentit tonë përpara partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe ballkanikë.

Nuk po ndalem te ftesa për zotin Kurti, kryeministrin e Kosovës, që sigurisht është një gjë pozitive. Unë besoj se ai do t’i qëndrojë besnik idesë së tij se për Kosovën, perspektiva evropiane kalon nga hapi kryesor: Njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia! Ndryshe do të kishte refuzuar të pinte uzo të shijshme greke sot sikurse bëri me nismën e dështuar të kryeministrit Rama për Ballkanin e Hapur ku nuk pranoi të pinte shlivovicë. Pra, nuk do të duhej edhe ai të kishte marrë pjesë.


Unë nuk jam ndonjë fans i padiskutueshëm i Presidentit Bajram Begaj, por nuk jam dakord që të kritikohet ai se përse nuk vajti në darkën e sotme që veç tjerash besoj se do të jetë e shijshme, nën tingujt e muzikës greke, me tzatziqis, verë të zgjedhur, e gjithë të mirat e Zotit! Kur Shqipëria tenton hapje, ka që e kritikojnë se përse u hap, ç’është kjo hapje, ku është patriotizmi? Kur Shqipëria nuk hapet aq sa e do njëri apo tjetri, ka që thonë: Po izolohemi!

Mos i ngjajmë opozitës italiane tani që merret se kush i pagoi 80 eurot te restorant Guva në Berat! Ambasadori italian apo zonja Meloni!

Presidenti Bajram Begaj bëri shumë mirë që nuk vajti në Athinë sonte, sado politika greke është shumë e rëndësishme për perspektivën evropiane të Ballkanit. Sado jemi dy vend miq me interesa të përbashkëta. Sado ne duhet të kemi një përqasje shumë miqësore, por dinjitoze, ndaj Greqisë fqinje!

Por, këtë radhë ftesa ishte me spec, madje me spec djegës. Nuk kishte uzo sado të pastër që e ekuilibronte djegësirën e specit të kuq!

Miqtë tanë grekë, në e kishin seriozisht ftesën ndaj nesh, duhej të kishin ftuar kryeministrin Rama, jo Presidentin Begaj! Nuk është punë e tyre që te ne Presidenti në politikën e jashtme është pothuajse një spektator formal, se politika e jashtme sikurse e brendshmja është në dorë të Edit Ramës. A është mirë apo keq, apo shumë keq, kjo gjë, nuk është punë e protokollit të Presidencës greke! Ata e dinë këtë gjë, pra duhej ta respektonin. Aq më shumë që ftesën e bën kryeministri grek, zoti Micotaqis, pra atij i takonte të ftonte homologun e tij shqiptar, jo një rang më sipër se i tij. Shtoj se edhe nga vendet e tjera të Ballkanit është ftuar ose kryeministri, ose Presidenti, sikurse ai serb, po një President që ka realisht frenat e pushtetit në dorë!

Pra, ftesa greke kërkonte që të anashkalonte kryeministrin shqiptar! Mua nuk më bëhet vonë shumë për këtë gjë, sepse nuk ka pikë rëndësie një darkë informale në Athinë, por nga ana tjetër e kuptoj protokollin shqiptar që duke mos e pranuar ftesën për zotin Begaj, sigurisht e bën që Presidenti të mos përdoret si Kalë Troje, pra si mjet për të evituar kryeministrin shqiptar.

Pse është evituar kryeministri? Mbase çështja Beleri, një absurditet politik, sigurisht, mbase edhe diçka tjetër më e rëndësishme që unë kam vetëm hipoteza dhe nuk dua ta prek këtu. Por, loja duket qartë. Ishte një presion ndaj kryeministrit Rama!

Në këtë optikë, Presidenti Bajram Begaj bëri mirë që nuk shkoi, ndonëse përgjigja që dhanë shërbimet e tij nuk e nderon aspak. Bëri mirë jo për solidaritet me kryeministrin, por për veten e vet. Si do të merrte pjesë ai në atë darkë, kur të gjithë do ta shihnin me ironi dhe buzëqeshje tallëse duke i lënë të nënkuptohej se aty ai ishte si hologramë e kryeministrit të evituar Rama. Nuk do të ishte veçse qenia në mungesë e Edi Ramës e kërkuar në mënyrë të vullnetshme nga i zoti i shtëpisë! Nuk do të ishte veçse një karrige bosh!

Do të kishte qenë një darkë e vështirë!

Ai mbrojti edhe reputacionin e Shqipërisë që sigurisht nuk mund të pranojë të trajtohet si lodër protokollesh, qoftë edhe prej miqve tanë të nderuar grekë!

Por, përsëri, them se përgjigja e Presidentit për refuzimin e ftesës ishte e gabuar. Nuk hahet.
Do të preferoja që Presidenti me etiketë dhe diplomaci të jepte një përgjigje të vërtetë se përse nuk shkon në Athinë sonte! Nuk mund të vazhdohet kështu pa folur, apo me përgjigje që e ulin reputacionin e tij në publik dhe në planin ndërkombëtar. Se edhe për ardhjen e ish-presidentit Klinton, u tha se Presidenti kishte qenë pa qejf!!!

Çfarë përgjigjeje! Kështu do të vazhdojmë me përgjigje prej gjasme!
Kush e pengon Presidentin të flasë atë që është për të folur?
Pse nuk jep arsyet e vërteta të veprimeve të veta?
Kjo është delikate, shumë delikate!
Sa mund të vazhdohet kështu?

Me përgjigje për të cilat të gjithë qeshin dhe flasin pas krahëve me ironitë e tyre të hidhëta!

Prandaj këtu është problemi. Unë mendoj se Presidenti i Shqipërisë duhet të bëjë kujdes që ta ngrejë reputacionin e tij, jo me deklarata që të gjithë e dinë se janë pretekste. Ndryshe në vend të trajtohet si President edhe nga partnerët ndërkombëtarë, mund ta thellojnë këtë skandal që ndodhi: Pra, ta trajtojnë vetëm si një mjet për të evituar kryeministrin e Tij! Aq më shumë vetëm si një tentativë ftese, sepse dhe vetë ftuesi e dinte që ftesa do të refuzohej!

Kjo do të ishte për të kapur kokën me duar, pastaj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat