Gjekmarkaj flet pas mbledhjes: Shkova si deputet, jo si vartës i kryetarit

Shqipëria

Gjekmarkaj flet pas mbledhjes: Shkova si deputet, jo si vartës i kryetarit

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 17:09
Gjekmarkaj flet pas mbledhjes: Shkova si deputet, jo si vartës i kryetarit

Agron Gjekmarkaj ka folur pas mbledhjes së zhvilluar sot ku morën pjesë 43 deputetë të opozitës dhe 4 aleatë, me ftesë të Gazment Bardhit. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe Sali Berisha, ndërsa në përfundim të mbledhjes u vendos që ky takim do të jetë i përjavshëm.

Deputeti Gjekmarkaj deklaroi në studion e rubrikës “Opinion” në News24, se ai mori pjesë në këtë tryezë si deputet dhe jo si vartës i kryetarit. Sakaq ai deklaroi se nuk bën pjesë as në grupin e Berishës dhe as në atë të Bashës, por thotë se bën pjesë në PD e dalë nga zgjedhjet e 2021.

Gjekmarkaj thotë se nuk mendon se partia do të mund të ecë përpara dhe nuk do të fitojë zgjedhjet, nëse në krye të saj do të jetë Lulzim Basha apo Sali Berishës, pasi të dy ata i bën përgjegjës për përçarjen e PD.

Sakaq, deputeti shtoi se “epoka e Bashës dhe Berishës për të qenë ata kandidatë për kryeministër, duhet të mbyllet sepse nëse shkojmë me ta, mendojmë shkojmë drejt humbjes së sigurt”.

“Nismë e lëvdueshme e Bardhit për të mbledhur faktorët opozitar që kanë dalë nga zgjedhjet e 2021. Shoqëria pret bashkim dhe lidership.

I rri mendimit që PD ka nevojë për një lidership të ri që duhet të tejkalojë Berishën dhe Bashën pa u mohuar të drejtën për të kontribuar në këtë parti. PD duhet ta kërkojë kryetarin përmes bashkimit, unë nuk njoh si kryetar as Berishën dhe as Bashën.

E konsideroj edhe sot një problem që një njeri që ka më shumë peshë në PD është i shpallur non-grata. Problem është mënyra si Berisha ka preferuar ta zgjidhë. E quaj gjë të keqe që një pjesë e PD e ka këtë konflikt me SHBA. Duhet një zgjidhje afatgjatë, e cila është raport shumë i mirë dhe i stabilizuar me Amerikën. Por nga ana tjetër në zgjedhjet e fundit Berisha ka marrë 500 mijë vota…

Për Bashën secili prej nesh ka investuar shumë, për 10 vite kemi dashur ta bëjmë kryeministër, por me gjasë nuk ia kemi dalë, ai më shumë, që të bindë qytetarët. Basha nuk ka të drejtë të akuzojë askënd se po strehohen në një bunker anti-amerikan. Epoka e Bashës dhe Berishës për të qenë ata kandidatë për kryeministër, duhet të mbyllet sepse nëse shkojmë me ta, mendojmë shkojmë drejt humbjes së sigurt.

Basha ka kohë që nuk meriton të merret seriozisht, siç ishte dhe ahengu që bëri disa ditë më parë. Ai e di që nuk është PD, dhe është më e vogla pjesë e saj sot dhe po luan për të mbetur në politikë.

Ne aty shkuam si të barabartë dhe jo si vartës i kryetarit, si deputetë të opozitës. Unë e ndjej veten te PD e dalë nga zgjedhjet e 2021 dhe punoj me modesti për t’u rikthyer tek ajo PD, por duke ndëshkuar ata që e copëtuan. Duke punuar që PD të ketë lidership të ri, mendje kritike dhe jo lidership të përjetshëm, i cili imponohet dhe flet në emër të shumicës pa e pyetur atë.

Unë bëj pjesën time me modesti, por në fund raportin themelor e kam me ndërgjegjen time dhe më pas me ata që na kanë votuar”, deklaroi Gjekmarkaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat