Borxhi publik planifikohet në 59,8% të PBB-së më 2024, niveli më i ulët që nga viti 2011

Shqipëria

Borxhi publik planifikohet në 59,8% të PBB-së më 2024, niveli më i ulët që nga viti 2011

Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 07:16
Foto ilustrim

Situata e mirë fiskale e ka ndihmuar qeverinë të ulë borxhin publik. Vitin që vjen pritet që raporti i borxhit me PBB-në të arrijë në 59.8% të PBB-së niveli më i ulët që nga viti 2011.

Sipas Ministrisë së Financave, niveli i borxhit publik në raport me PBB, në fund të vitit 2023, parashikohet të ulet në rreth 61.5%, ndërkohë që në fund të vitit 2024 planifikohet në nivelin prej 59.8%. Gjithsesi, niveli i pritshëm i borxhit mbetet në varësi të realizimit të planit të huamarrjes gjatë pjesës së mbetur të vitit 2023 dhe gjatë 2024, si dhe realizimi i transaksionit të blerjes (buy back) të Eurobondit të planifikuar gjatë vitit 2023.

Huamarrja e brendshme gjatë vitit 2024 planifikohet në një vlerë prej 50 miliardë lekë, më e lartë kjo se huamarrja e brendshme në vitin 2023, në kushte ku parashikohet që gjatë vitit 2024 nuk do të jetë e nevojshme të dilet në tregje ndërkombëtare.

Huamarrja e re në tregun e brendshëm pritet të realizohet kryesisht nëpërmjet titujve shtetërorë afatgjatë në përputhje me objektivat për reduktimin e risqeve, por gjithashtu duke ju përshtatur edhe preferencave të investitorëve për titujt.

Huamarrja e huaj parashikohet të realizohet kryesisht nëpërmjet disbursimit të huave që financojnë ecurinë e zbatimit të projekteve prioritare të qeverisë, si dhe disbursimit të mbështetjeve buxhetore procedurat dhe kushtet paraprake të të cilave mund të arrijnë të plotësohen gjatë vitit 2024.

Në total, huamarrja e huaj gjatë vitit 2024 vlerësohet të jetë rreth 36.6 miliardë lekë, dhe duke konsideruar borxhin e huaj që ripaguhet gjatë vitit, huamarrja neto e huaj pritet të jetë në nivele negative.

Duke marrë në konsideratë deklaratat dhe vendimet e fundit të Rezervës Federale dhe BQE, këto institucione mund të vijojnë ndjekjen e politikave monetare shtrënguese edhe për të paktën vitin 2023 dhe kjo mund të vijojë edhe në fillimin e vitit 2024, si rrjedhojë mund të pritet një rritje e mëtejshme e normave të interesit në tregun e huaj.

Në këto kushte, kostot për njësi të borxhit të huaj dhe atij të brendshëm, pritet të shënojnë rritje të mëtejshme krahasuar me vitin 2023, konkretisht për borxhin e jashtëm nga 3.4% në 4.3% dhe për borxhin e brendshëm parashikohet një rritje nga 4% në 4.4%.

Për rrjedhojë, shpenzimet për interesa të borxhit, gjatë vitit 2024 janë planifikuar me një rritje prej rreth 9.8 miliardë lekë. Për sa i përket ripagesave të borxhit të jashtëm (principali), në vitin 2024 planifikohen të jenë në vlerën 52.1 miliardë lekë.

Normat mesatare të ponderuara gjatë periudhës janar-shtator 2023 kanë shënuar rritje krahasuar me fundin e vitit 2022, pothuajse në të gjitha kategoritë e instrumenteve, e ndikuar kjo nga rritja e normave të interesit, kryesisht gjatë vitit 2022, dhe për rrjedhojë zëvendësimit të titujve me norma interesi më të ulëta të cilat maturohen, me tituj të emetuara në kushtet me norma interesi të rritura.

Në muajin mars 2023 Banka e Shqipërisë mori vendimin të rrisë normën bazë të interesit në nivelin 3.00% nga 2.75% që ishte në fund të vitit 2022.

Ndërkohë, që Yield-et e instrumenteve në çdo ankand po vazhdojnë rënien edhe pas rritjes së fundit të normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Rënia e yield-eve ka ardhur kryesisht nga likuiditeti i lartë në treg dhe interesi i lartë nga investitorët për të investuar në titujt qeveritarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat