“Integrimi në BE, roli i opozitës dhe i Kuvendit në proces”, zbardhet takimi i Tabakut me nënkryetarin e CDU/CSU

Shqipëria

“Integrimi në BE, roli i opozitës dhe i Kuvendit në proces”, zbardhet takimi i Tabakut me nënkryetarin e CDU/CSU

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 21:04
Deputetja e PD dhe kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku

Deputetja e PD dhe kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, gjatë një vizite zyrtare, e ftuar nga Bundestagu gjerman, është takuar me nënkryetarin e CDU/CSU dhe njëkohësisht një mik të mirë të PD-së, Johann Wadephul. Në takim u nënvizua angazhimi i pakursyer personal i z.Wadephul në lidhje me procesin e integrimit të Rajonit të Ballkanit Perëndimor. Mbështetja e tij e fortë për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE u mirëprit nga Tabaku, e cila nënvizoi rolin e nënkryetarit të CDU/CSU në procesin e integrimit të Shqipërisë edhe në kohët kur kjo qe diçka e pamenduar dhe e paimagjinuar për shumë vende anëtare të BE-së.

Deputetja e PD, znj. Tabaku, u shpreh se është emergjente përshpejtimi i rrugës europiane të Shqipërisë, përmes ndërmarrjes dhe arritjeve të reformave transformuese për vendin, si dhe mbi të gjitha kontrollit që parlamenti duhet të ketë ndaj procesit të integrimit. Një vit më parë parlamenti i Shqipërisë miratoi me unanimitet amendimet ligjore mbi “Ligjin për Rolin e Kuvendit në Proçesin e Integrimit” që është bazuar në eksperiencën e Bundestagut gjerman.

Z. Wadephul është një njohës shumë i mirë i Ballkanit Perëndimor dhe mbështetës i integrimit të Rajonit dhe veçanërisht i Shqipërisë. Ai ka qenë një prej deputetëve më të zëshëm në mbështetjen e procesit të integrimit europian, edhe përgjatë kohës kur procesi i zgjerimit shoqërohej me skepticizëm nga shumë vende europiane, pasi e shihte procesin si mundësi transformimi jo vetëm për Rajonin, por për vetë BE. Rol jetik në shtyrjen përpara të procesit integrues ka qenë edhe Procesi i Berlinit, për të cilin z. Wadephul ka qenë një mbështetës i pakursyer i tij. Sipas znj. Tabaku, pavarësisht oportuniteteve që sillte ky proces, Shqipëria nuk ka mundur të jetë përfituese e projekteve dhe nismave të tij ekonomike, çka ka ndikuar jo fort mirë në buxhetet dhe projektet infrastrukturore të vendit.

Gjatë takimit u dakordësua që vendi nuk ka shënuar rezultate konkrete në plotësimin e kritereve dhe detyrimeve të vendosura nga BE, por dhe Bundestagu gjerman, megjithatë nevoja gjeostrategjike dhe domosdoshmëria e BE për t’u përballur me sfidat në rritje që vijnë nga agresioni i Rusisë në Ukrainë dëshmojnë domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit, çka do të sillte pashmangshmërisht forcimin e shtetit ligjor, demokracisë dhe balancën mes pushteteve. Toni pozitiv i takimit u vijua dhe me dakordësimin për pasjen e një vizioni të përbashkët të përdorimit të procesit për të sjellë ndryshime domethënëse transformuese në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat