Goditjet ndaj industrisë fasone! Fasonet e Durrësit dhe Krujës, situata është e rëndë

Shqipëria

Goditjet ndaj industrisë fasone! Fasonet e Durrësit dhe Krujës, situata është e rëndë

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 15:35
Foto ilustrim

Të goditur nga rënia dyshifrore e euros dhe e eksporteve, përfaqësues të industrisë fasone dhe manifakturave në rajonin Durrës-Krujë, u mblodhën për të diskutuar, të shtunën, mbi situatën e rëndë dhe pasojat ekonomiko- sociale të saj.

“Ajo që po ndodh është humbja e konkurrueshmërisë te bizneseve të sektorit që çon në reduktimin e linjave prodhuese dhe më e keqja është që shumë brende të huaja dhe shqiptare po shikojnë të transferohen në vende të tjera dhe kjo do të kishte dhe një ndikim social. Kur fiket një biznes dhe makineri prodhuese është shumë e vështirë të rindizet”, tha Edvin Prençe nga shoqata “Pro Eksport”.

“Patëm një rritje shpenzimesh te 40% pa nisur rënia e euros, e cila i rriti kostot me 60-80%. Problemi më i madh që është kthyer në tmerr, edhe sikur të ndodhë mrekullia e të rikthehet euro e fortë, është hapur një gropë aq e madhe sa nuk e di ç’do të ndodhë. Ka pasoja të mëdha, mospagim të sigurimeve shoqërore, detyrime ndaj punëtorëve, qirasë e korrentit dhe shteti do bëjë sulmin e vet, bllokime nëpër banka, dogana etj dhe ti nuk e di si do të mbijetosh. E shoh shumë të vështirë situatën”, tha një përfaqësueses fasoni Agron Hyseni.

Bizneset u shprehën pashpresë për fuqizimin e euros në vazhdim, ndërsa pasojat e shkaktuara prej saj, rritja e pagave dhe mungesa e fuqisë punëtore mund t’i çojnë drejt falimentit një pjesë prej tyre. Të rrezikuara, bizneset eksportuese kërkojnë mbështetje nga ana e shtetit për t’ia dalë mbanë në këtë situatë të vështirë.

“Kruja ka 25 vjet që merret me fasoneri. Mund të ketë 3-4 mijë punëtorë vetëm në fasoneri. Jeta e grave të Krujës, Laçit e Milotit varet nga fasoneria. Çdo gjë do të reduktohet, do ua bësh me normë që të nxjerrin rrogat e tyre dhe të lajnë kredinë. Unë kam marrë dhe 100 pakistanezë tw zëvendësojnë punëtorët dhe sot kam vetëm 30. Kanë ikur se kanë destinacion Italinë, tha Muharrem Hoçja.

“Mbështetja që kërkohet është subvencionimi, minimizimi i këtyre kostove. Nga një llogaritje e thjeshtë bizneset e sektorit kanë një humbje në rreth 9 milion euro/muaj dhe kjo është mungesë likuiditeti. Nuk është fitim po likuiditet për të bërë pagesa dhe detyrimet që gjenerohen nga aktiviteti i tyre. Po flasim për humbje ndërkohë që këto biznese kanë kontrata me klientët që nuk mund të rishikohen”, tha Edvin Prençe.

Nëse shteti nuk ndërhyn shumë vende pune, sipas tyre, do të mbyllen, duke diktuar një situatë të paqartë për fatin e shumë bizneseve fasone dhe eksportuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat