Kuvendi i hap rrugë SPAK-ut për arrestimin e Berishës, vendimi jehonë në mediat e huaja

Shqipëria

Kuvendi i hap rrugë SPAK-ut për arrestimin e Berishës, vendimi jehonë në mediat e huaja

Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 14:30
Kuvendi i Shqipërisë

Votimi pro në Kuvend të kërkesës për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha ka bërë jehonë në mediat e huaja.

Votimi në parlamentin e Shqipërisë për heqjen e imunitetit të Sali Berishës pas akuzave të SPAK-ut për korrupsion pasiv, pritet të çojë drejt arrestimit të tij shkruan Reuters, në një artikull të publikuar më pas edhe nga media amerikane, USnews, ndërsa ky zhvillimi të rëndësishëm të politikës shqiptare nuk mund t’i shpëtonte as mediave të tjera të njohura si VOA apo REL.

Berisha i mohon akuzat, nënvizon Reuters, dhe pretendon se vota e 75 ligjvënësve qeveritare në parlamentin 140 vendesh është jo vetëm e paligjshme, por edhe e motivuar politikisht, teksa e kanalizoi duke e përshkruar si një lëvizje që synon shkatërrimin e opozitës.

Prokurorët u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t’ia heqin Berishës imunitetin parlamentar, sepse ai nuk i ishte përmbajtur urdhrit për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion, kujton REL.

Associated Press nxjerr në pah faktin që ligjvënësit e opozitës në sallën e parlamentit u përpoqën të ndërprisnin seancën, por u ndaluan nga rojet e sigurisë dhe zgjedhjen e Berishës për të mos e marrë fjalën, pavarësisht se kryetarja e Kuvendit ia dha të drejtën të shprehej kundër mocionit.

Teksa opozita refuzoi të merrte pjesë, nuk pati as vota kundër e as abstenime, theksohet në shkrim. VOA nga ana tjetër nënvizon sesi një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi të mos kalojë për shqyrtim në seancën e vet plenare kërkesën e një grupi deputetësh lidhur me masat e sigurisë që SPAK-u ka vendosur ndaj Berishës, si dhe interpretim të nenit të Kushtetutës, ku flitet për arrestimin e deputetit.

Gjykata tha se kërkesa nuk ishte formalisht e rregullt, se grupi i deputetëve nuk legjitimohej për të vënë në lëvizje gjykatën në çështje si konflikti i kompetencave dhe se pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat