Berisha: Gjykata e Posaçme përmbysi rendin kushtetues

Shqipëria

Berisha: Gjykata e Posaçme përmbysi rendin kushtetues

Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 20:12
Sali Berisha

Datën se kur Gjykata e Posaçme do të vendosë për masën arrest në shtëpi të kërkuar nga SPAK-u, Sali Berisha e mësoi nga media.

Nuk nxitoi të thotë nëse do e njohë apo jo këtë vendim të ri ndaj tij, por ripërsërit se fjala e fundit do jetë vetëm pas konsultës me avokatët.

“Çdo qëndrim i imi është përcaktuar nga mungesa e legjitimitetit. Avokatët janë ata që do të më këshillojnë mua”, tha ai.

Refuzon ta njohë vendimin e Kuvendit, teksa gishtin e akuzës e ngrin edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila pak ditë më parë rrëzoi padinë e 30 deputetëve demokratë.

“Janë treguar njerëz me zero moral ligjor. Qenie mjerane. Ky në thelb përbën në mënyrë absolute përmbysjen reale të rendit kushtetues”.

Ndonëse më herët, ish-ministrave të tij u ka kërkuar të heqin dorë vetë nga imuniteti kur prokuroria i është drejtuar me kërkesë kuvendit, Berisha sqaroi arsyen se përse nuk e aplikoi tek vetja të njëjtin rregull.

“Në këtë rast është marrje pushteti, është banditizëm, puç kushtetues brenda shtetit”.

Por cilido qoftë vendimi që pritet të marrë gjykata e posaçme, i bindur është në rrugëtimin e nisur me demokratët.

“Nuk diskutohet, jo që unë të tërhiqem, përkundrazi do përkushtohem me të gjithë potencialin tim për një fitore të shkëlqyer të opozitës”.

Vendimi i datës 26 dhjetor nga Gjykata e Posaçme mund t’i diktojë ish-Kryeministrit edhe ndryshim në mënyrën e komunikimit me mediat, ndaj dhe ai shfrytëzoi konferencën e kësaj të premteje, duke mos kursyer batutat për t’i ftuar përfaqësuesit e medias në një takim jashtë kamerave.

“Të bëjmë nga një urim së bashku për Vitin e Ri se pastaj do kem obligime të tjera”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat