Rënia e valutave tkurr me 427 mln euro eksportet, manifaktura kërkon kompensim të humbjeve

Shqipëria

Rënia e valutave tkurr me 427 mln euro eksportet, manifaktura kërkon kompensim të humbjeve

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 08:07
Foto ilustrim

Bizneset shqiptare kanë shitur jashtë vendit mallra më pak se vitin e kaluar. Referuar të dhënave të INSTAT, eksportet tona janë ulur me 9.8% nga janari deri në nëntor të këtij viti, në krahasim me 11 mujorin e vitit të kaluar. E përkthyer në vlerë monetare, eksportet gjatë kësaj periudhe zbritën në vlerën 3.9 miliardë euro, nga 4.3 miliardë euro që ishin në vitin e kaluar, duke u ulur me afro 427.5 milionë euro. Kjo rënie e eksporteve sipas ekspertëve lidhet me zhvlerësimin e valutës kryesisht, pasi bizneset shesin në euro, dhe konvertimi i saj në lekë është shumë më ulët se në vitin e kaluar. E njëjta gjë edhe për dollarin i cili ka humbur rreth 11 pikë krahasuar me vjet. Por ndikim po jep edhe rënia e çmimeve për mallra të caktuara, siç është rasti i energjisë elektrike që po shitet e blihet shumë herë më lirë se në vitin 2022, kur çmimet kapën edhe vlera 1000 euro një megavat.

Tre janë industritë që kanë pasur rënien më të lartë në këtë periudhë. Eksportet, gjatë këtij njëmbëdhjete mujori janë ulur me -9,8 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,0 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,6 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT. Në vlerë janë ulur me rreth 256 milionë euro eksportet e materialeve të ndërtimit, e metaleve, ndjekur nga ulja eksporteve të energjisë me 91.9 milionë euro dhe me 70.8 milionë euro janë reduktuar eksportet e tekstileve dhe këpucëve. Për shkak të rënies së eksporteve, industria e manifakturës ka paralajmëruar protesta, në rast se nuk ndërhyhet për kompensim të humbjeve të tyre, madje kanë dërguar edhe një letër në Ministri të Financave dhe në Bankën e Shqipërisë.

Në rast se nuk gjendet një zgjidhje, kjo industri ka paralajmëruar se do të ketë protesta në fillim të vitit 2024. “Rënia e vlerës së shitjeve nga forcimi i shpejtë i lekut dhe rritja e kostove direkte dhe ndikimi i inflacionit në shpenzimet e përditshme po krijojnë me shpejtësi ambientin e pafavorshëm për të vijuar më tej dhe po e detyrojnë pjesën dërrmuese të eksportuesve të mbyllin aktivitetet dhe të aplikojnë për status pasiv. Si masë e parë dhe urgjente, kërkohet vazhdimi i tavolinave teknike dhe gjetjen e zgjidhjeve për kapërcimin e situatës.

Ndërkohë, masa të tjera të për shkallëzuara do të vijojnë të diskutohen, ku vendosmëria dhe bashkëpunimi shumëpalësh ka marrë vendimin që të zhvillohet së bashku me Sindikatat dhe me punonjësit e sektorëve eksportues “Protestë përballë Kryeministrisë” në ditët e para të muajit Janar”, thanë në konferencën e fundit shoqata Pro Eksport Albania. Ndërkohë një përgjigje të tërthortë eksportuesit e morën në konferencën e fundit nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili theksoi se ata ndërhyjnë në treg vetëm për të rritur rezervën valutore dhe për të garantuar stabilitetin e çmimeve, por jo për sektorë të caktuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat