“Ky rast kërkon drejtësi”- Spiropali pas vetëvrasjes së 41 vjeçares për shkak të bullizimit

Shqipëria

“Ky rast kërkon drejtësi”- Spiropali pas vetëvrasjes së 41 vjeçares për shkak të bullizimit

Më: 5 janar 2024 Në ora: 22:42
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar ashpër pas rastit të rëndë në Sukth të Durrësit, ku një 41-vjeçare, nënë e katër fëmijëve zgjodhi t’i jepte fund jetës, pas dyshimeve se bullizohej në TikTok, përmes llogarive false.

Spiropali shprehet se ky rast kërkon drejtësi.

Duke ngushëlluar familjen për humbjen e Bedrie Lokas, Spiropali bën thirrje për ndërgjegjësim të gjuhës denigruese që përdoret ndaj grave.

Ajo shton se ka nevojë të menjëhershme për ndërhyrje në ligjin për median online.

“Një grua 41 vjeçe, nënë e katër fëmijëve, raportohet se vrau veten për shkak të denigrimit dhe bullizmit në rrjete sociale.

Ky rast tmerrësisht i rëndë kërkon drejtësi!

Dënimi maksimal i autorit ose autorëve për shkaktim/nxitje të aktit të vetvrasjes është më e pakta që duhet të ndodhë!

Është momenti të ndërgjegjësohemi se gjuha e denigrimit dhe e dhunës në rrjete sociale prek në mënyrë shproporcionale gratë dhe vajzat, ushqehet nga kultura e dhunës patriarkale që i izolon gratë në këndin e “turpërimit” kolektiv duke u sjellë trauma të rënda individuale, familjare dhe shoqërore.

Gjuha e poshtërimit dhe e denigrimit të grave gjendet rëndom në median vizive, të shkruar dhe online, ku sulmet kalojnë pa u analizuar dhe pa u dënuar nga ligji dhe shoqëria.

Denoncimet për krime kibernetike dhe kërcënime online duhet të trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet ligjzbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë.

Legjislacioni për mediat online, krimet kibernetike, kodi penal etj, kanë nevojë për ndërhyrje imediate që kultura e shpifjes dhe e denigrimit të luftohet pa asnjë rezervë nga ligji dhe të mos kthehet në normalitet shoqëror. Ngushëllime familjes së të ndjerës! U prehtë në paqen që nuk e lejuan të kishte në jetë!”, u shpreh Spiropali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat