Krijohet Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kryeministri Rama liston arsyet: E nevojshme për fazën e re të zhvillimit të vendit

Shqipëria

Krijohet Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kryeministri Rama liston arsyet: E nevojshme për fazën e re të zhvillimit të vendit

Më: 8 janar 2024 Në ora: 16:07
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama njofton krijimin e një strukture të re në qeveri: Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Sipas tij, ky ndryshim në qeveri është i nevojshëm për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë.

Teksa teknologjia digjitale është fuur në të gjitha fushat e jetës, kërkohet drejtim strategjik, shkruan kryeministri në rrjetet sociale. Ndërsa për kulturën thotë se “s’mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit”.

“Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër, kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes. Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës”.

Në krye të kësaj ministrie të re do të jetë Blendi Gonxhja, emrin e të cilit kryeministri do t’ia propozojë Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

“Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhe, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat