Atentati ndaj Zamir Kalemit në Tiranë, policia ofron 15 mln lekë shpërblim kush jep informacione për autorët

Shqipëria

Atentati ndaj Zamir Kalemit në Tiranë, policia ofron 15 mln lekë shpërblim kush jep informacione për autorët

Më: 13 janar 2024 Në ora: 14:23
Zamir Kalemi

15  mijë euro shpërblim janë vendosur nga Policia e Tiranës për këdo që ka informacion lidhur me atentatin e mbrëmshëm në Selitë, ku mbeti i plagosur Zamir Kalemi.

Policia thotë se ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë ka këqyrur vendin e ngjarjes, vendin e djegies së automjetit të përdorur nga autorët, si dhe ka sekuestruar provat materiale.

Po ashtu janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa persona si dhe janë sekuestruar pamjet filmike pranë vendit të ngjarjes.

Nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY6650, i cili rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13.02.2023.

Nga analiza e rrethanave të ngjarjes ka informacione se kjo ngjarje ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 euro, dhe informacioni mund të jepet në numrin  +355694111546, duke garantuar anonimatin e çdo telefonuesi. Informacione më të detajuara do të japim për mediat dhe për publikun, në vazhdim të hetimeve.”-njofton policia.

Kush ishte Zamir Kalemi

Personi që mbeti i plagosur është vëllai i Adriatik (Andrea) Kalemit, të cilit i janë bërë disa atentate në Greqi. Kalemajt janë kushërinj me Aleksandër Sadikajn i cili u ekzekutua me tritol në Tiranë. Kalemi është hetuar edhe për vrasjen e Edmond Papës për hakmarrje. Zamir Kalemi rezulton i arrestuar në vitin 2020 për përfshirje në lojëra fati. Pista e parë e këtij atentati është hakmarrja, pasi vëllai i tij, Andrea Kalemi dyshohet i implikuar në vrasjen e Edmond Papës dhe vrasjen e dy personave në Belgjikë.

Vrasja e Edmond Papës dhe kushëririt të Andrea Kalemit

Prishja e pazareve të drogës dyshohet se fshihet pas vrasjes së Edmond Papës në Tiranë. Kjo është pista kryesore e ngritur nga policia e Tiranës e cila nga verifikimet paraprake dyshon se vrasja e Edmond Papës ka ardhur si kundërpërgjigje e një eliminimi mafioz që i është bërë një kundërshtari të tij gjatë kësaj vere në Tiranë.

Prova kryesore që e shtyn policinë të lidhë dy vrasjet është fakti se Papa dhe kundërshtari i tij janë takuar në Sarandë dy ditë para vrasjes së ndodhur në qershor të këtij viti. Ka dyshime se ky takim mes tyre nuk ka shkuar mirë dhe solli më pas ngjarjen e rëndë. 49-vjeçari u ekzekutua pasditen e së premtes së 16 dhjetorit 2022 në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. Megjithëse me profil të ulët, 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Nga verifikimet ka rezultuar se Edmond Papa në Shqipëri kryesisht gjatë verës jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.

Andrea Kalemi është djali i dajës së Aleksandër Sadikajt, të riut të vrarë me tritol më 11 qershor në Tiranë. Kalemi rezulton të ketë lidhje të ngushta shoqërore me Velon dhe Boden. Të dy bashkë me individë të tjerë, familjarë të viktimës Aleksandër Sadikaj, dyshohet se kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e 27-vjeçarit është organizuar në qytetin e Sarandës, pikërisht në hotelin e Edmond Papës. Hoteli menaxhohej dhe nga vëllai i 49-vjeçarit Kristo Qirici. Aleksandër Sadikaj kishte fjetur në këtë hotel dy ditë para se të ekzekutohej me tritol në makinë.

Shkak për konfliktin, sipas babait të Sadikajt është bërë një borxh që Papa i kishte 27-vjeçarit. Më konkretisht, ai i kishte blerë 100 kg hashash disa vite më parë, por nuk ia kishte shlyer të gjitha paratë. Për rrjedhojë, i riu ishte konfliktuar me 49-vjeçarin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat