Ndalen reshjet e dëborës, por temperaturat ulen gjatë natës deri në -11 gradë - ja si paraqitet situata në qarkun e Korçës

Shqipëria

Ndalen reshjet e dëborës, por temperaturat ulen gjatë natës deri në -11 gradë - ja si paraqitet situata në qarkun e Korçës

Më: 22 janar 2024 Në ora: 09:36
Foto ilustrim

Reshjet e dëborës në qarkun e Korçës janë ndërprerë, por janë ulur ndjeshëm temperaturat, të cilat gjatë natës kanë arritur deri në -11 gradë celsius, ndërsa mëngjesin e sotëm termometri shënon -8 gradë.

Sa i përket qarkullimit të automjeteve, të gjitha rrugët nacionale dhe turistike janë të hapura dhe nuk kanë krijuar probleme, por drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të vendosin goma dimërore.

Ekipet me mjetet borëpastruese janë në gatishmëri, ndërsa nga bashkitë e qarkut nuk janë raportuar probleme.

Në bashkinë Korçë rrugët që të çojnë në fshatra janë pastruar, vetëm në disa pjesë të segmentit rrugor Shtyllë-Panarit mjetet duhet të vendosin zinxhirë.

Në bashkinë Devoll nuk raportohen probleme në fshatra por gjithsesi nga ulja e ndjeshme e temperaturave duhet treguar kujdes me prezencën e akullit.

Në bashkinë Pogradec po punohet ende me kriposjen e rrugëve, gjithashtu edhe në zonat e thella malore po bëhet e mundur hapja dhe pastrimi i rrugëve.

Në bashkinë Maliq nuk raportohen probleme. Edhe në bashkinë Kolonjë dhe të Pustecit situata është normalizuar.

Sa i përket mungesës së energjisë elektrike, sipas informacioneve qyteti i  Ersekës ka disa problematika të vogla me energjinë gjithashtu 15 abonentë në fshatin Piskal të Ersekës dhe 6 abonentë në Gur të Kuq në Pogradec.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat