Tedi Blushi thirrje qeverisë: Miratoni uljen në 5% të TVSH për ushqimet për qytetarët në nevojë

Shqipëria

Tedi Blushi thirrje qeverisë: Miratoni uljen në 5% të TVSH për ushqimet për qytetarët në nevojë

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 17:25
Tedi Blushi

Partia e Lirisë ka denoncuar nismën e Qeverisë për të shtyrë për herë të tretën ligjin për investitorët strategjikë.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi u shpreh se “qëllimi për ta kthyer këtë ligj nga të përkohshëm, në të përhershëm, është tentativë e pastër për të ligjëruar klientelizmin, korrupsionin dhe rrëmbimin e pronave publike dhe private për llogari të një grup të caktuar oligarkësh”.

Sipas Blushit, ky është një ligj klientelist, korruptiv dhe antipronë që “nuk ka bërë gjë tjetër përveç rrëmbimit të tokave publike pa para ose me vlera qesharake 1 euro, përfshi edhe ato private, për t’ua falur klientëve të Edi Ramës me histori suksesi në monopole dhe në krimin e organizuar”.

Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm, Tedi Blushi

Partia e Lirisë denoncon me forcë nismën e Qeverisë për të shtyrë për herë të tretën ligjin për të ashtëquajturit investitorët strategjikë.

Qëllimi për ta kthyer këtë ligj nga të përkohshëm, në të përhershëm, është tentativë e pastër për të ligjëruar klientelizmin, korrupsionin dhe rrëmbimin e pronave publike dhe private për llogari të një grup të caktuar oligarkësh, bashkëpronarë me Qeverinë në këtë aferë.

Ky ligj klientelist, korruptiv dhe antipronë që nuk ka bërë gjë tjetër pëveç rrëmbimit të tokave publike pa para ose me vlera qesharake 1 euro, përfshi edhe ato private, për t’ua falur klientëve të Edi Ramës me histori suksesi në monopole dhe në krimin e organizuar.

Është kjo arsyeja pse për 8 vjet nga zbatimi i këtij ligji nuk ka asnjë raport monitorimi të institucioneve shtetërore për ndikimin që “strategjikët” e Edi Ramës kanë patur në ekonomi.

Nga institucionet e shtetit shqiptar mungon thuajse plotësisht transparenca në lidhje me objektet dhe sektorët, ndikimit që kanë patur investitorët strategjikë në krijimin e vendeve të reja të punës, në rritjen e nivelit profesional, në ndikimin e ekonomive lokale të vendit, si dhe në rritjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit.

Gjithashtu nuk ka raporte nga Qeveria mbi auditimin e investitorëve strategjikë në lidhje me burimin e financimit të investimeve të tyre, si dhe me gjendjen faktike të punimeve të realizuara nga këta investitorë, të cilët kanë përfituar lehtësira tatimore.

Të vetmet raporte janë ato nga sistemi i drejtësisë që bëjnë me dije se më shumë se 2/3 e kontratave të ngjashme të llojit PPP janë nën hetim penal dhe se mbi 95% e investitorëve “strategjikë” janë vendas, shumica të arrestuar si pjesë e elitës së krimit të organizuar shqiptar, pjesa tjetër të afërm të ministrave të Edi Ramës, “gaztorë” të “Rilindjes” dhe klientë të saj pa asnjë përvojë në fushën e investimit të dhënë.

Për më tepër ndryshimet e reja zgjerojnë mundësinë e grabitjes dhe zhvatjes të pasurive pasurive natyrore dhe financiare të vendit për shkak se ndryshe nga ligji aktual, që kërkon vlerë të konsiderueshme investimi dhe punësimi, ky ndryshim i propozuar i hap rrugën edhe investimeve me vlerë 100 euro.

Mjafton të jesh afër me Kryeministrin Rama për të marrë statusin e “strategjikut” në xhep, duke përfituar tokën falas, duke mospaguar detyrime tatimore dhe duke u financuar dhe pastruar paratë e pista.

Më i rëndë është fakti që për këta investitorë miliarderë dhe “strategjikë” që ndërtojnë pallate, kulla dhe resorte dhe ju falet prona publike me çmim 1 euro, detyrimi tatimor i tyre është 6%.

Ndërkohë që bizneset e ndershme paguajnë tatim 15% dhe profesionet e lira do të paguajnë deri në 23%. Dhe po kështu paguhet 20% TVSH për ushqimet e shportës dhe 60% nga xhepi për shëndetin.

Ndaj Partia e Lirisë bën thirrje për tërheqjen sa më parë nga axhenda parlamentare të vendimit për të shtyrë për herë të tretë ligjin për investitorët strategjikë dhe në vend të kësaj nisme të miratohet në Parlament propozimi i Partisë së Lirisë, i rrëzuar në të kaluarën arbitrarisht me forcën e kartonave të “Rilindjes”, për ta ulur në 5% TVSH e shportës.

Kjo inciativë ligjore, që ne kemi propozuar edhe më herët do t’i jepte frymëmarrje familjeve të thjeshta, do të gjallëronte ekonominë e tyre dhe do të zbuste shumë koston e lartë të jetesës.

Nëse Qeveria ka qëllim të thellojë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve duke favorizuar miliarderët dhe pastruesit “strategjikë” të parave të pista, fokusi ynë janë vetëm qytetarët e thjeshtë që vuajnë sot më shumë se kurrë kostot e larta të jetesës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat