Berisha thirrje AADF: Tërhiquni nga afera korruptive me Ramën, do kërkojmë hetim nga Kongresi i SHBA

Shqipëria

Berisha thirrje AADF: Tërhiquni nga afera korruptive me Ramën, do kërkojmë hetim nga Kongresi i SHBA

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 21:43
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar para mbështetësve të tij në tubimin e përnatshëm tanimë se Organizata Botërore e Trashëgimisë Kulturore, UNESCO ka zbërthyer copëtimin, shkatërrimin e Edi Ramës me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të parkut kombëtar të Butrintit.

Ai i bëri thirrje Fondacionit Shqiptaro-Amerikan që të tërhiqet nga kjo aferë korruptive me kryeministrin Rama.

Berisha theksoi se nëse Fondacioni nuk tërhiqet nga kjo aferë, me një peticion do të kërkohet një hetim nga Kongresi i SHBA për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan.

“Së fundmi miq kam një mirënjohje shumë të thellë ndaj Organizatës Botërore të Trashëgimisë Kulturore, UNESCO-s, e cila në raportin e saj që ka fshehur Edi Rama, zbërtheu copëtimin, shkatërrimin e Edi Ramës me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të parkut më përrallor që ka Europa, parkut kombëtar të Butrintit.

Më lejoni të falënderoj para jush, përzemërsisht deputeten Ina Zhupa e cila qëndroi e pamposhtur nga çdo presion, për t’i mbrojtur Shqipërisë pasurinë e saj më përrallore, parkun e Butrintit.

Të falënderoj profesor doktor Apollon Baçen, avokat i pamposhtur i kësaj trashëgimie.

Të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Butrintit dhe të gjithë ata që u përballën me presionet më çnjerëzore, më të gjithanshme, por qëndruan në mbrojtje të kësaj pasurie të pashoqe e theksoj edhe njëherë.

Parku i Butrintit, nga qyteza arkeologjike te Kepi i Stillës, përbën ndoshta një nga mrekullitë më të mëdha në botë.

Ky park u mbrojt dhe duhet t’u rrëfej këtu se nga viti 1993, gjer në vitin 2013, Fondacioni i Lordit Rothchild, luajti një rol shumë pozitiv në mbrojtjen e tij.

Unë ju kujtoj ju se në një moment kur zgjeruam rrugën për çështje sigurie, protestat e tyre te qeveria shqiptare ishin të përsëritura dhe të fuqishme.

Por çfarë ndodhi më vonë? Parku u copëtua me projektin e Edi Ramës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan.

Unë jam këtu për të kërkuar publikisht Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, tërhiquni menjëherë nga projekti, kërkoni të falur sepse keni kryer një akt shumë të rëndë ndaj një pasurie përrallore të kombit shqiptar.

Është pikërisht projekti juaj, i bazuar në studimin tuaj korruptiv me Edi Ramën, që i dha këtij të fundit mundësinë të projektojë, të ndërtojë te Gjiri i Manastirit, te Kepi i Stillës me qindra e mijëra banesa.

Unë kam pasur një bashkëpunim të ngushtë, të frutshëm, kam respektuar shumë, kam vlerësuar lart të gjithë kontributin e këtij fondi. Kam pasur marrëdhënie miqësore me presidentin e tij.

Por natyrisht Butrinti ishte për mua, interesi i shqiptarëve ishte mbi të gjitha.

Ndaj i them, zoti Granoff, tërhiqe projektin. I bëtë një dëm të madh.

Ju keni kontribut të padiskutueshëm në dhjetëra e dhjetëra projekte në Shqipëri.

Por ajo që bëtë është e paimagjinueshme. U bëtë bashkautor në një megakorrupsion të tmerrshëm me Edi Ramën.

Përndryshe, me një peticion do i kërkojmë hetim Kongresit të SHBA për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan. Keqpërdorimin e tij nga Edi Rama”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat