“S’ka kthim pas”- Qeshën, nuk shfaqën pendesë për vrasjen e babait: Ç’ndodhi në gjyq

Shqipëria

“S’ka kthim pas”- Qeshën, nuk shfaqën pendesë për vrasjen e babait: Ç’ndodhi në gjyq

Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 16:17
Hygerta Meta

Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë “Arrest në burg” për 3 fëmijët e Pëllumb Metës, të akuzuar për vrasjen e tij dhe groposjen e kufomës.

“Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Fshehje e asgjësim i kufomës”, kryer në bashkëpunim, janë akuzat që rëndojnë ndaj Hygerta, Hysen dhe Amarildo Metës.

Organi i akuzës, kryesuar nga prokurorja Suela Beluli, i vlerësoi të përgjegjshëm të tre, por përtej fjalëve të ftohta për pendesë e keqardhje, ata u shfaqën të qetë dhe hera-herës edhe të qeshur gjatë seancës.

Deklaratat kontradiktore vijuan edhe në seancë, pasi djali i madh, Hysen Meta mohoi vrasjen e të atit.

“Nuk e kam bërë unë vrasjen. Le të flasë ai që e ka bërë. Kam qenë prezent, kur motra e vogël (Hygerta) ka qëlluar babain. Motra e qëlloi sepse debatonte shumë herë me babain sepse donte ta fejonte. S’kam qenë i pranishëm kur konfliktoheshin. Babi mua s’më pyeste për fejesën, s’të linte të flisje, nuk i kam pasur marrëdhëniet e mira. Kam thënë se e kam vrarë unë para oficerit, sepse isha i hutuar. Na ardhur keq për atë që ka ndodhur. As vëllezërve të vet nuk u ka ardhur aq keq sa na erdhi ne!”

Hygerta Meta tregoi se i ati ishte i dhunshëm dhe disa herë kishte kërcënuar se do t’i vriste.

“Më kishte thënë nëna se na kërcënonte se do na vriste, por nuk e kisha dëgjuar deri atë ditë, të enjten. Të shtunën e vrava, sepse kisha frikë ngaqë i refuzova fejesën për herë të dytë. Unë e kisha mirë ta vrisja, sepse e dija kur vinte nga puna, dija çdo lëvizje. Mora armën, ai erdhi nga puna ishte duke pushuar. Ishte me kurriz, i shtrirë. Mora armën në dhomën ngjitur dhe ia drejtova. U kthye nga unë, por nuk u habit kur më pa me armë në dorë, më tha vetëm ‘Ik andej’. Dhe unë e qëllova, dy metra larg tij. (Duke qeshur) Jam penduar, por është diçka që s’ka kthim mbrapa”, tha ajo.

Ndërsa, djali i vogël i Pëllumb Metës, Amarildo, tha se nuk ka qenë në dijeni të fejesës së supozuar.

“Unë s’kam qenë në dijeni fare, kam qenë në punë. Nuk kam vënë re gjë, nuk kam parë asnjë veprim. E dija për konfliktet, por me babin flisja rrallë. E dija që donte ta fejonte motrën, se me tha vetë motra. Kur fola me babin, bëri sikur s’më dëgjoi”, tha ai.

Avokatja, Arta Gecaj, e caktuar kryesisht nga shteti deklaroi se për shkak të deklarimeve kontradiktore do të bëhen dhe hetime shtesë.

“Do vazhdojnë hetimet. Atje janë bërë dy deklarime kontradiktore, ka vend për hetime të tjera shtesë.”

Sipas hetimeve, plumbat e kanë kapur Pëllumb Metën një në kokë, një poshtë veshit, një tjetër në gjoks dhe një në bark.

Krimi i rëndë u regjistruar mesditën e 10 shkurtit, por u zbulua nga policia 10 ditë më vonë.

Ekzekutimi ka ndodhur në një dhomë të shtëpisë dhe më pas trupi është groposur në kasollen e bagëtive, që ndodhej në oborr.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat