​Rama fajëson Putinin për luftën: Donte ta fshinte brenda ditës nga harta Ukrainën

Shqipëria

​Rama fajëson Putinin për luftën: Donte ta fshinte brenda ditës nga harta Ukrainën

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 14:00
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën hapëse të Samitit mes Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore, fajësoi presidentin Putin si shkaktarin e luftës në Ukrainë.

Në nisje të punimeve të samitit u shfaq një video me mesazhe solidarizuese të liderëve botërorë për Ukrainën.

Rama tha se ëndrrat e vjetra perandorake të Putinit janë ato të cilat kanë shkaktuar luftën e armatosur. Sipas shefit të qeverisë, lideri rus donte që ta fshinte nga harta brenda ditës Ukrainën, por ai nuk ia ka dalë, pasi përkundrazi sot Ukraina është më afër se kurrë me Bashkimin Evropian.

Rama: Putin donte ta fshinte Ukrainën nga harta brenda ditës

“Kjo është një luftë që as Ukraina e as bashkësia jonë e kombeve me të njëjtin qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga vendimi i një njeriu i trajtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake. Prania juaj këtu është një kujdesë që ai nuk ia ka dalë. Pavarësisht fuqisë së saj ushtarake dhe propagandës toksike Rusia neo-imperialistë nuk ia ka dalë të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk ia ka dalë të shtyp vullnetin e Ukrainës të jetojë në një vend të lirë, nuk ia ka dalë të shtyp të vërtetën, kontrasti nuk mund të jetë më i madh se aq. Putin donte ta fshinte Ukrainën nga harta brenda ditës, por Ukraina sot është më shumë se kurrë e ankoruar në Evropë”, tha Rama.

Ai nga ky forum ka bërë thirrje Rusisë që ta ndal luftën, pasi duan një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj.

Rama: Duan një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj

“Hedh sytë rreth kësaj tryeze, shoh fytyra të njohura, miqësore, pas një historie të gjatë luftërash, konfliktesh marrëdhëniesh të ngrita. Të gjithë ne këtu në Ballkanin Perëndimor jemi bërë bashkë për të paktën një dekadë, për t’u takuar. Për të folur për sfidat tona, për të planifikuar të ardhmet tona. Pavarësisht asaj për të cilën ende s’mund të mos biem dakord, për të parë përpara në vend se të shohim pas historinë brutale të ndasive të përgjakshme që na kanë mbajtur peng për kaq shumë brezni. E ardhmja që ne në Shqipëri shohim është e ardhmja e përbashkët ku jetojmë në paqe me fqinjët, ku punojmë në bashkëveprim me partnerët tanë e qëndrojmë në miqësi me botën. Prania juaj këtu zoti President na bën thirrje që të pranojmë diçka me një rëndësi të jashtëzakonshme që e njëjta shpresë që na ka bërë bashkë ne përgjatë viteve, na bashkon tanimë me popullin e Ukrainës. Sapo kemi shënuar përvjetorin e dytë të zymtë, të sulmit në shkallë masive të Rusisë kundër Ukrainës dhe kryeqytetit të saj Kievit dhe jemi këtu të përtërijmë solidaritetin dhe mbështetjen për Ukrainën dhe popullin e saj dhe juve zoti President e të gjithë atyre që vuajnë sot në Ukrainë. Duam po kështu të përtërijmë thirrjen tonë për Rusinë të ndalë këtë luftë. Duam të përtërijmë angazhimin tonë ndaj paqes, një paqeje të drejtë e mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara, të së drejtës ndërkombëtare e rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj.”, tha ai.

Rama shtoi se të shpërblesh një agresor, i cili anekson territoret e një vendi sovran duke çarmatosur viktimën e agresionit nuk sjell paqe, por shtron terrenin për më shumë luftë.

Rama: Ukraina nuk po lufton veç për veten, por për gjithçka në të cilën ne besojmë

“Ne vetë nuk kemi kapacitetin për të ofruar nivelet e mbështetjes financiare dhe ushtarake për të cilën ka nevojë Ukraina për të mbrojtur si duhet veten dhe popullin e vet. Kështu që më lini t’i kërkoj gjithkujt këtu të bashkohen me thirrjen time për anëtarët më të mëdhenj e më të pasur të bashkësisë sonë demokratike për të njohur rolin e tyre. Jetesa e Ukrainës si një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik e si bastion i lirisë së Evropës në tërësi varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake që ata së pari mbi të gjitha ofrojnë. Kjo mbështetje nuk duhet të jetë peng i politikave të brendshme ditëshkurtra, apo i vonesave demokratike. Mos u gaboni! Ukraina nuk po lufton veç për veten, por për gjithçka në ne cilën besojmë, qëndrojmë dhe punojnë. Ka atje tej disa oportunist cinik se të ndihmosh Ukrainën në qëndresën e saj ndaj ushtrisë pushtuese, pengon kauzën e paqes, por atyre do t’u them sot se mënyra për t’i dhënë fund luftës nuk është të çarmatosim viktimën, por të ndalim agresorin në agresionin e tij. Të shpërblesh një agresor, i cili anekson territoret e një vendi sovran duke çarmatosur viktimën e agresionit nuk sjell paqe, por shtron terrenin për më shumë luftë. Të ndalosh Ukrainën në vend që të ndalosh Vladimir Putinin e shndërron paqen mbështetur në shpërblim për agresion një bazë legjitimimi të një agresioni të mëtejshëm dhe e shndërron botën tonën tonë në një vend të sunduar nga fuqia, jo nga të drejtat. Kolegë dhe miq, e dimë më shumë se mirë se rajoni ynë dhe kontinenti ynë nuk janë të panjohur me luftërat dhe pasojat e tyre shkatërrimtare. Evropa siç e njohim, doli pas dy luftërash të tmerrshme botërore vetëm shekullin e shkuar. Në këtë rajon, në rajonin tonë pas më shumë se një çerek shekulli plagët e thella të lëna nga shpërbërja e dhunshme e ish Jugosllavisë diktatura e fundit e Evropës sonë të përbashkët ende duhen shëruar, por kemi parë dhe ndërtim të paqes pasqyruar mbi të gjitha në vizionin e urtinë e pashembullt dhe kurajën e punën e madhe që çoi në krijimin dhe zhvillimin e BE.”, tha ai.

Sipas tij, vizioni që çoi në krijimin e BE-së udhëzon sot në Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin drejt së ardhmes, një të ardhme që mund të arrihet vetëm në paqe duke qëndruar dhe duke punuar së bashku dhe duke zgjidhur dallimet tona në mënyrë paqësore, konstruktive në emër të brezave të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat