​Krejt çka ndodhi në Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore në Tiranë

Shqipëria

​Krejt çka ndodhi në Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore në Tiranë

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 20:23
Ilustrim

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodomyr Zelensky pritën sot udhëheqësit e Evropës Juglindore si pjesë e Samitit Ukrainë-Evropa Juglindore, organizuar nga qeveria shqiptare në Tiranë.

Në këtë samit u fol mbi rrezikun nga Rusia në Evropë dhe Ballkan, çështje të sigurisë dhe mbështetjen e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus.

Gjatë samitit u miratua një deklaratë e përbashkët në të cilën thuhet se agresioni ushtarak i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe përsëritet mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur që nga viti 1991.

Kryeministri Rama deklaroi sot se samiti i sotëm dëshmon përkushtimin e rajonit për zgjidhjen e problemit të luftës në Ukrainë, teksa i bëri thirrje Rusisë që të ndalojë agresionin ushtarak të nisur në shkurt 2022.

Ai e fajësoi presidentin e Rusisë Vladimir Putin si shkaktarin e luftës në Ukrainë, duke thënë se deshi ta fshinte nga harta brenda pak ditësh, por sot Ukraina është më shumë se kurrë e ankoruar në Evropë.

Ai tha se Ukraina e lirë varet nga ndihma financiare dhe ushtarake e vendeve ndërkombëtare dhe kërkoi që në këtë drejtim të mos ketë vonesa.

Rama theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës dhe nuk duhet lejuar Rusinë të fitojë luftën, pasi që një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm dhe e gjithë ekzistenca e BE do të ishte në rrezik.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi se dështimet e udhëheqësit rus, Vladimir Putin janë siguria e tyre. Sipas tij, i njëjti po bën përpjekje që të përdor diktate të vjetra për shtetet të veprojnë siç dëshiron ai.

Ai tha se nuk duhet të ketë Evropë me dinjitete të ndryshme në të, ku dikush meriton më shumë siguri, ndërkohë që ka vende të cilat nuk po jetojnë në paqe.

Zelensky u shpreh mirënjohës të gjitha vendeve, përfshirë Shqipërinë, që kanë përkrahur Ukrainën dhe siç u shpreh ai, në formulën e paqes.

Presidenti i Ukrainës theksoi se gjatë kësaj lufte kanë treguar se është e mundur që të fitosh mbi armikun më të fuqishmin në botë.

Në samit mori pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova do të vazhdojë mbështetjen ndaj Ukrainës, teksa shprehu bindjen për fitoren e Ukrainës përballë agresionit rus dhe bashkë me këtë edhe njohjen e Kosovës.

Si pjesë e samitit ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka mirëpritur homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba. Në një konferencë për media, Hasani ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë të mbështet sovraniteti, lirinë e tërësinë territoriale të Ukrainës.

Pas takimit me homologun ukrainas, Kuleba, ai ka thënë se Shqipëria mbështet planin me dhjetë pika të presidentit Zelensky, si mundësia më realiste për dhënien fund luftës dhe arritjen e një paqe të qëndrueshme.

Ndërsa, ministri Kuleba tha se të dyja vendet evropiane do të bashkërendojnë ngushtë sa i takon rrugëtimit në Bashkimin Evropian, teksa kërkoi që Rusia të dënohet si përgjegjëse për krimet e luftës në Ukrainë.

Ndryshe, para samitit Rama dhe Zelensky nënshkruan në ambientet e Kryeministrisë një marrëveshje bashkëpunimi, që sipas tyre, përforcon dhe promovon miqësinë mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

“Shqipëria është renditur që në krye të herës përkrah vendeve mbështetëse të Ukrainës dhe luftës së saj të drejtë në mbrojtje të popullit ukrainas, – duke luajtur një rol të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainën, si dhe duke vendosur theksin te nevoja thelbësore për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, në mënyrë të veçantë, të paqes e sigurisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat