Samiti Ballkani Perëndimor-BE, Rama zbulon pse mungon Kurti - Varhelyi jep lajmin e mirë nga Tirana

Shqipëria

Samiti Ballkani Perëndimor-BE, Rama zbulon pse mungon Kurti - Varhelyi jep lajmin e mirë nga Tirana

Nga: Bota sot Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 06:58 Përditësuar në ora: 14:55 më 29.02.2024
Fotografia familjare nga Samiti Ballkani Perëndimor-BE që po mbahet në Tiranë

​Samiti i Ballkanit Perëndimor me BE-në, Varhelyi: Patëm marrëveshje për katër fusha

Në kuadër të samitit të Ballkanit Perëndimor me BE-në për Planin e ri të Rritjes sot në Tiranë, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja për katër fusha.

Varhelyi theksoi se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të marrin 6 miliardë euro ndihmë, por për t’i tërhequr këto fonde shtesë në formën e granteve dhe huave ka disa kushte që duhen plotësuar nga vendet e rajonit.

Ai ka bërë të ditur detajet e marrëveshjes, e që kanë të bëjnë me rishikimin e kostove të transaksioneve, heqja e kohës së pritjes në pikat kufitare, puna kërkimore shkencore dhe rrjeti falas i internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Mendoj se sot, ne patëm marrëveshje për katër fusha. E para, rishikimi i kostove të transaksioneve. Bankat duhet të aplikojnë të njëjtat rregulla, si në vendet e origjinës. Mendoj se ka pasur dakordësi që kjo gjë do të arrihet sivjet. E dyta, korsitë e gjelbra. Të heqim kohët e pritjes në pikat kufitare. Të rregullojmë procedurat, në mënyrë që të përshpejtohen pritjet në kufi. Duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Do të ulë kostot për bizneset. E treta, puna kërkimore shkencore. Të sjellim brezin tjetër të industrive në rajon. Të kemi një qendër, ku këto industri të mund të mbështeten, po flasim për sektorin farmaceutik, digjital etj. Së fundi, rrjeti falas i internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor. I kemi fondet për këtë gjë. Duhet t’i pajisim bashkitë me të gjitha mjetet e duhura”, ka thënë Varhelyi.

Varhelyi ngatërron rrugën, Rama shkrihet së qeshuri! Çfarë s’u pa nga pritja e liderëve

Kryeministri Edi Rama priti sot liderët e Ballkanit Perëndimor për samitin në Tiranë, ku në fokus ishte plani i rritjes ekonomike të 6 vendeve të rajonit.

Në samitin e mbajtur në Pallatin e Kongreseve, kreu i qeverisë shqiptare ka takuar me radhë krerët e shteteve të rajonit.

Aty sërish ka marrë pjesë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ishte edhe në samitin për Ukrainën.

I pranishëm gjithashtu ka qenë edhe Komisioneri Zgjerimit, Oliver Varhelyi i cili në një moment ka ngatërruar rrugën, çka ka shkaktuar edhe të qeshura mes tij dhe kreut të qeverisë.

Del fotografia familjare nga Samiti Ballkani Perëndimor- BE që po mbahet në Tiranë

Sot në Tiranë po mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian për planin e ri të rritjes.

Para pak çastesh pjesëmarrësit në këtë samit janë mbledhur për ta realizuar fotografinë familjare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është fizikisht i pranishëm në samit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Rama, tha se Kurti do të marrë pjesë virtualisht.

Ndërkaq, autori i emisionit “Pressing” në T7, Leonard Kerquki ka publikuar mbrëmë listën e pjesëmarrësve në këtë samit.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë

Aleksandër Vuçiç – President i Serbisë

Milojko Spajiç – Kryeministër i Malit të Zi

Borjana Kristo – Presidente e Këshillit të Ministrave të Bosnjes dhe Hercegovinës

Talat Xhaferi – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Oliver Varhelyi – Komisioneri i BE-së për Zgjerimin

Majlinda Bregu – Sekretare e Perëgjithshme për Bashkëpunimin Rajonal

Danijela Gacevic – Drejtuese në detyrë e CEFTA-s

Gert Jan Koopman – Drejtor i përgjithshëm i grupit negociator të KE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin

Xiaoqing Yu – Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor

Charlotte Ruhe – Drejtori menaxhues i BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore

Matej Zakonjsek – Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit për Transportin

Maja Pishkeviq –  Qendra e Evropës në Këshillin Atlantik dhe përfaqësuese e qendrës në Ballkanin Perëndimor

Alessandro Bragonzi – Kreu i përfaqësimit rajonal për Ballkanin Perëndimor në Bankën Evropiane të Investimeve (EIB)

Lulzim Rafuna – Kryetar i Dhomës së Tregtisë së Kosovës

Ines Muçostafa –  Kryetare e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë

Andi Dobrushi – Drejtor Ekzekutiv i OSFA

“Duhet të miratoni ligje cilësore”, Koopman paralajmëron Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor: Keni vetëm një muaj kohë për të mbyllur reformat

Drejtori i Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman, ka deklaruar në Samitin BE-Balkani Perëndimor i cili po mbahet në Tiranë se duhet ritëm i lartë punimesh në mënyrë që të përfitohet nga fondet e BE.

Ai u shpreh se ka mbetur vetëm një muaj kohë për mbylljen e reformave.

Koopman: Së pari udhëheqësit e pranishëm, dëshmi për angazhimin tuaj. Kjo tregon edhe ritmin e lartë që të ndodhë ndryshimi.

Nuk bëhet fjalë vetëm për udhëheqësit por edhe institucionet duhet të bëjnë punët e tyre.

Disa nga nismat duhet të jenë tërësisht funksionale.

Ritmi është i lartë por na ka mbetur vetëm një muaj për të mbyllur agjendën e reformave. Cilësia e ligjeve që duhet të miratoni duhet të jetë e lartë. Na keni krah jush por ritmi duhet i lartë që fondet të hyjnë në maj para pushimit të verës.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor/ Varhelyi jep lajmin e mirë nga Tirana: Do dyfishojmë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor

Komisioneri për Zgjerimin e BE-së Oliver Varhelyi në fjalën e tij në samitin BE-Ballkani Perëndimor tha se vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të përfitojnë nga plani i rritjes ekonomike të BE-së. Varhelyi tha se përveç 30 miliardë eurove të jepen edhe 6 miliardë euro të tjera.

'Tirana është kthyer në një pikë takimi për të gjithë rajonin. Edhe pse po afrojmë fundin e mandatit dëshirojmë të lemë pas diçka serioze të jetë e prekshme dhe e ndjeshme për aspektin afatshkurtër dhe afat mesëm. Është proces integrimi do të thotë se shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE. Që do të thotë se BE duhet të ofrojë të gjitha përfitimet që sjellë anëtarësimi para se vendet tuaja të bëhen anëtare të BE-së.

Është plan ambicioz. Do të vazhdojë deri në 2027. Kemi besim të plotë se ju do të arrini ti merrni të mirat që sjell ky plan. Do të dyfishojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për 10 vitet ardhshme. Ajo që ju po shihni tani para është shumë më shumë se ajo që do të kemi mundësi të shikojmë. Për planin e rritjes të gjitha vendet e rajonit, duhet të ecin para vetë me shpejtësi dhe të arrihen rezultate.

Dëshira e 3 është një dëshirë që e shpreh për institucionet financiare, përveç 30 miliardë euro kërkojmë të na jepni edhe 6 miliardë euro. 19 % që do të ofrohen do të merren deri në 2027. Këto para do të arrijnë nëse ju si institucionet financiare tregoheni të shpejtë. Jemi në fillimet e një ndryshimi rrënjësor.’- tha Varhelyi.

"Të ulim me 3 orë kohën e pritjes së kamionëve në dogana", kryeministri Rama kërkesë vendeve të rajonit

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të punojë pareshtur për të ecur para, drejt lehtësimit të transportit dhe tregut dixhital. Ai tha se do të jetë gati në qershor aplikimi për digjitalizimin e tregut të përbashkët, duke mundësuar kështu shkurtimin e orëve të pritjes së kamionëve në dogana. Ai tha se nëse përmbushen kërkesat për zonën e përbashkët të pagesave, do të ulen me 6 herë tarifat e qytetarëve tanë për të sjellë para në shtëpitë e tyre. Mes të tjerash ai tregoi se si mund të kursehen 6 mln euro në xhepat e njerëzve.

"Duhet të ofrojmë rezultate të prekshme. Ka disa kushte që duhen përmbushur nëse duam të marrim fonde shtesë nga Plani i Rritjes. Në Tiranë kemi nevojë për një plan të ri reformash. Përfshirja e aktorëve të tjerë, kritike për të përmbushur synimet e procesit. Kemi bërë përparime për sistemin e drejtësisë, por mbetet shumë për tu bërë që të jemi në nivelin e BE. Komisionieri do e shtjellojë më tej atë që për vendet tona janë në planin e ri të rritjes e c’duhet të bëjmë që ti marrim. Shqipëria është gati për këtë ushtrim sfidues. Do punojmë me të tjerët për lehtësuar rrugën. Nëse përmbushim kriteret për zonën europiane të pagesave do ulim me 6 herë tarifat e shqiptareve jashtë për të dërguar paratë në familje.

Ambicia jonë si Shqiperi është të jemi gati në qershor për aplikimin. Synojmë Të ulim me 3 orë kohën e pritjes së kamionëve në dogana!", tha Rama.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor/ Rama: Kurti mungon për arsye objektive

Në Tiranë ka nisur të mbajet Samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Aty fizikisht nuk është kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, derisa Rama ka dhënë saqrime pse mungon ai.

“Këtu përfundon pjesa publike për median.

Ne do të vazhdojmë me deklaratat e udhëheqësve.

Më lini t’ju them paraprakisht se për shkak të arsyeve objektive, kryeministri i Kosovës nuk është i pranishëm”, theksoi Rama.

Nis punimet Samiti/ Rama: BE, më e gatshme të na bëjë pjesë të kostelacionit të saj! Të mos humbasim mundësinë

Ka nisur punimet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Rama në Samiti BE-Ballkani Perëndimor për planin e rritjes: Në planin e ri të rritjes, është e qartë ose duhet të marrim hapat e nevojshme për të ecur para, ose të dështojmë për të zënë një vend për t’u ulur në tryezën e BE. Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë.

Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose e kundërta na pengon.

BE është tani më e gatshme të na ndihmojë të në bëjë pjesë të kostelacionit të saj. Nuk duhet të humbasim këtë dritare mundësie.

Kurti merr pjesë vetëm virtualisht në Samitin e Tiranës

Në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes në Tiranë nuk do të merr pjesë fizikisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes përmes një video-adresimi. Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai ka treguar arsyet përse Kurti nuk do të jetë pjesë e këtij samiti fizikisht.

“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri I Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë I pranishëm fizikisht në Samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e e Samitit virtualisht përmes përmes një video-adresimi”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Të enjten në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Vizita e parë pas marrjes së detyrës, mbërrin në Tiranë kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi pritet nga Rama

Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, që prej marrjes së kësaj detyre kjo është hera e parë që vjen në Shqipëri.

Xhaferi është pjesë e Samitit të BE me Ballkanin Perëndimor, ndërsa u prit në tapetin e kuq në Pallatin e Kongreseve nga kryeministri Edi Rama.

Sot Tirana pret një tjetër samit, atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, me fokus integrimin e rajonit në Bashkimin Europian dhe zbatimin e planit të rritjes ekonomike.

Plani i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore. Rritja e integrimit ekonomik me tregun unik të Bashkimit Evropian. Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal. Përshpejtimi i reformave themelore. Rritja e ndihmës financiare. BE-ja do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat