Ndërtimet “tkurren” pas 5 vitesh! Më pak leje të dhëna gjatë 2023, hera e parë pas ecurisë me ritme rekord

Shqipëria

Ndërtimet “tkurren” pas 5 vitesh! Më pak leje të dhëna gjatë 2023, hera e parë pas ecurisë me ritme rekord

Më: 3 mars 2024 Në ora: 19:58
Foto ilustrim

Gjatë 2023-it shifrat e INSTAT tregojnë se lejet e dhëna për sipërfaqe ndërtimi u tkurrën me 20%. 

Rënia u kryesua nga Tirana, ndërsa kjo është hera e parë që ndërtimi ngadalësohet pas një periudhë pesë vjeçare rritje me ritme rekord.

Ekspertët e ekonomisë dhe agjentët imobiliarë janë të ndarë për arsyet e ngadalësimit, ndërsa pranojnë se sektori ka hyrë në një cikël të ri

“Tregon që në njëfarë mënyrë ndoshta edhe ndërtuesit po parashikojnë do të ketë një trend pozitiv në dy – tre vitet e ardhshme por jo në pesëvjeçarin e ardhshëm, sepse nuk ka asnjë logjikë të vazhdojë me këto ritme ndërkohë që ka kaq shumë apartamente bosh dhe popullsia ka trend rënës etj.”- u shpreh Klodian Muço-ekspert ekonomie.

“Nuk kemi ulje të kërkesës për ndërtim kemi thjesht ulje të trojeve që I ofrohen ndërtuesve. Tirana gjithmonë e më shumë po ngjitet sipër, po jepen leje për kulla 20, 30 apo 40 kate. Kjo për arsye se po mungojnë dhe ka një mungesë të madhe në treg të trojeve të ndërtimit në Tiranë. Po të shohim tanimë ndërtuesit gjithnjë e më shumë po shkojnë në rrethina Mëzez apo ish-uzina autotraktorëve, aty ku gjejnë sipërfaqe të lira”, tha Altin Brahaj-agjent imobiliar.

Ndërkohë kryeqyteti që është qendra e zhvillimit të ndërtimit në gjashtë vite ka dhënë 8.9 milion metra katrorë sipërfaqe ndërtimi me rekord në 2022-in. Agjentët imobiliarë mendojnë se kjo vlerë i përgjigjet kërkesës së tregut, ndërsa ekonomistët e shohin si anomali

“Ndërtimi në vetvete po të shikojmë ka kaluar mbi 10% të GDP në peshë. Çdo ekonomist që merret me analiza makro që shikon se ndërtimi ka një peshë në prodhimin e brendshëm bruto mbi 10% tregon që ka diçka që nuk shkon, prandaj në të ardhmen pritshmëritë nuk duhet t’i kemi shumë optimiste. Agjencitë imobiliare deri diku e tregojnë këtë gjë në mënyrë informale që kanë rënë shitjet dhe transaksionet”, u shpreh lodian Muço-ekspert ekonomie.

“Për 7 vite janë ndërtuar diku tek 45 – 50 mijë apartamente në tiranë, që janë një shumë e përballueshme nga tregu madje mund të ketë nevojë edhe për shumë. Ne shohim që ka akoma një kërkesë të lartë për akomodim në tiranë dhe si e tillë nuk do të ketë një rritje të metrave katrorë për ndërtim në vitet në vijim, mund të ketë një rritje çmimesh”, shtoi më tej Altin Brahaj-agjent imobiliar.

Në anketën e besimit konsumator zhvilluar nga Banka e Shqipërisë, në janar sektori i ndërtimit vlerësonte në rënie aktivitetin aktual ndërtues dhe nivelin e porosive. Ndërkohë, edhe çmimet dhe punësimi sipas anketës priten me rënie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat