Kapen 51 kg drogë në Korçë, arrestohet i dyshuari që do ta transportonte drejt Greqisë dhe dy bashkëpunëtorët e tij

Shqipëria

Kapen 51 kg drogë në Korçë, arrestohet i dyshuari që do ta transportonte drejt Greqisë dhe dy bashkëpunëtorët e tij

Më: 8 mars 2024 Në ora: 19:27
Foto ilustrim

Policia e Shtetit ka njoftuar se është finalizuar operacioni antidrogë i koduar “Again”, për goditjen e një tjetër rasti të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 51 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një armë zjarri pistoletë, gjashtë celularë dhe pesë automjete.

Është arrestuar në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike, që dyshohet se do trafikonte këtë sasi me automjetin e tij, në drejtim të Greqisë.

Po ashtu janë vënë në pranga edhe dy bashkëpunëtorë e tij.

Bëhet fjalë për shtetasit J. S., 42 vjeç; E. M., 28 vjeç dhe S. S., 24 vjeç, banues në Korçë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat