7 ekspertë mjedisi letër Nishanit: Dekreto ligjin e mbetjeve

Shqipëria

7 ekspertë mjedisi letër Nishanit: Dekreto ligjin e mbetjeve

Më: 5 tetor 2016 Në ora: 00:48
ilustrim

Një grup ekspertësh mjedisi i kanë nisur sot një letër Presidentit të Republikës ku i kanë kërkuar dekretimin e “Ligjit Për Mbetjet”, duke i paraqitur atij disa argumenta se përse ky ligj duhet të miratohet.

Ata shkonjë deri aty sa e konsiderojnë këtë veprim dhe këtë ligj si një akt patriotik. Ja letra e plotë e tyre:

“Duke besuar se Presindeti i Republikës së Shqipërisë qëndron mbi palët politike, vecanërisht  në një mjedis të tejnxehur politik dhe kur politika pa integritet është një devijim i rrezikshëm për fatet e një vendi;

Duke besuar se Presidenti qëndron mbi të gjitha palet si institucion që garanton të drejtat e njeriut;

Duke besuar se Presidenti ka autoritetin dhe njohuritë për të gjykuar pa emocione, me profesionalizëm dhe të ndajë drejt cështjet me karakter teknike, ekonomik, ligjor dhe mjedisor nga politika populiste dhe spekullimi keqndjellës, me dhe pa interes;

Duke besuar se Presidenti, ashtu si të gjithë shqiptarët aspirojnë të bashkohen në komunitetin e vëndeve të përparuara të Bashkimit Evropian dhe për rrjedhojë, të mësohen të respektojnë rregullat e këtij komuniteti;

Duke besuar se prosperiteti i vendit bazohet vetem dhe vetem mbi punën e ndershme, integritetin dhe dinjitetin njerzor;

Duke besuar se ekonomia e tregut të lire, levizja e lire e mallrave dhe njerëzve janë themeli i demokracisë dhe parakushte të rëndësishme për zhvillimin e vendit në mënyrë të qëndrueshme dhe me kujdes për ruajtjen e mjedisit;

Duke besuar se, me gjithë kufizimet e pranuara përgjithësisht, ne besojmë se në Shqipëri ka shtet;

Ne, një grup organizatash dhe individesh profesionistë në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe menaxhimit të mbetjeve, me të drejten e shrehjes së mendimit dhe fjalës së lirë, jemi të bindur se amendimi i ligjit 10463, datë 22.09. 2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i ndryshuar është:

i drejt;
në përputhje me DIREKTIVËN 2006/12/EC si dhe RREGULLOREN (EC) No 1013/2006 “Mbi lëvizjen e mbetejve” të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës , dhe Vendimin C(2001)107/FINAL, i amenduar me C(2004)20 të Këshilit të OSBE, të cilat janë mishëruar në këtë ligj;
garanton optimalisht kontrollin mbi ngarkesat e importit duke përcaktuar rrugën e lëvisjes dhe entin (kompaninë e riciklimit) për të cilën mbejet do të destinohen;
është në interes të zhvillimit të ekonomik, interesit privat dhe publik, punësimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Në këtë kontekst, ne kërkojmë që ju të dekretoni ligjin 92/2016 dhe kështu të jetësoni mundësine e importit të mbetjeve që përbëjnë lëndë të parë dytësore për funksionimin e industrisë së riciklimit.

Industria e riciklimit në Shqipëri është një veprimtari ekonomike e pastër, miqësore me mjedisin, e ligjshme dhe e ngritur mbi të gjitha standardet e pranuara ndërkombtarisht. Kjo industri ka një kontribut të spikatur në pakësimin e mbetjeve që gjenerohen e depozitohen në mënyrë të pakontrolluar sot e prej shumë vitesh në Shqipëri.

Kjo industri është një garanci për investimet kapitale dhe përfaqëson një prej destinacioneve të domosdoshme finale për të pakësuar dhe më shume një sasi dhe më të madhe dhe në rritje të mbetjeve të riciklueshme që sot e në të ardhmen do të gjenerohen, pa të cilën do të ishte e pamundur që të realizohej menaxhimi i integruar i mbetjeve në vendin tonë.

Pa këtë industri do të ishtë e pamundur që Shqipëria të përmbushë detyrimet mjedisore të integrimit në komunitetin e Bashkimit Evropian.

Mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit të njeriut nuk garantohet duke ndaluar zhvillimin. I takon shtetit që të garantojë që veprimtaritë ekonimike të riciklimit, si të gjitha veprimtaritë e tjera ekonomike dhe institucionale, të rrespektojnë ligjet dhe standardet; i takon shtetit që të sigurojë shëndetin e qytetarëve të tij, dhe nëse shteti nuk e bën këtë, atëhere ne duhet të pranojmë që kemi dështuar, pa përjashtim të gjithë!

Gjendja e menaxhimit të mbetejve në Shqipëri është e keqe, por jo pa zgjidhje. Shteti, shoqëria civile, industria, bashkësia e qytetarëve, duhet të punojnë sëbashku nën moton “të mbajmë të pastër Shqipërinë”. Kjo bëhet e mundur duke pasur një vision të qartë që udhëhiqet nga Direktivat e Bashkimit Evropian, duke i përkthyer ato në strategji, plane, ligje dhe rregullore që janë të mundura të mbështeten me investime, që janë të zbatueshme, që qëndrojnë në përputhje me kushtet reale të vendit, që marrin në konsideratë kulturën, standardin e dëshëruar nga qytetarët dhe aftësinë dhe gatishmërinë e tyre për të paguar për cilësinë e shërbimeve që ata marrin; cdo koncept tjetër është ose një dëshirë e parealizueshme ose një plan I keq – hartuar, përndryshe “një shqiptarizëm” i hartuar në mungesë të dijes dhe vullnetit.

“Të mbajmë të pastër Shqipërinë” është një mision i vështirë, realizimi me sukses i të cilit kërkon investime kapitale të rëndësishme, edukim, dhe ndërgjegjsim të vazhdueshëm, të gjithanshëm dhe intensiv, dhe mbi të gjitha “kohë”. Ky mision realizohet kur të gjithë ne të kemi dijet dhe vullnetin e nevojshëm, por mbi të gjitha bashkëpunim në të gjitha nivelet, për të ndarë kostot dhe përgjegjësitë.

Përjashtimi i një pale, specifikisht kufizimi deri në rrënimin e industrisë së riciklimit, është një ndërprerje e rrezikshme në zinxhirin gjenetik për të garantuar menaxhimin e integruar të mbetejve dhe arritjen e misionit.

Në jemi të bindur se ky është një qëndrim patriotik dhe në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve shqiptar, cdo spekullim keqndjellës është e kundërta.

Do të dëshëronim që Ju të na kushtoni sadopak momente nga koha e Juaj e vyer në një takim, kur Ju ta keni të mundur, dhe ne do të jemi të gatshëm T’ju përcjellim detaje të tjera teknike, profesionale, ligjore dhe njerëzore, në lidhje me kërkesën tonë, të cilat qëndrojnë përtej spekullimeve politike ose joprofesionale që mund të devijojnë një vendimmarrje të arsyeshme.

Shpresojmë që kjo thirrje do të merret në konsideratë nga ana Juaj.

Me respekt!

Edlir Vokopola,

Xhemal Mato,

Taulant Bino,

Redjon Biba.

Elvis Xhaferri,

Ornela Çu?i,

Klodian Aliu

Sot, në Tiranë, më 04/10/2016″

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat