Nishani takim me diplomatët: Shqipëria ka mbetur peng i interesave meskine

Shqipëria

Nishani takim me diplomatët: Shqipëria ka mbetur peng i interesave meskine

Më: 12 qershor 2017 Në ora: 22:39
Presidenti Bujar Nishani

Presidenti Bujar Nishani priti ambasadoret e akredituar në vendin tonë në takimin e fundit me ta, përpara se të përfundojë mandatin e Presidentit.

Kreu në detyrë i shtetit, vlerësoi kontributin e secilit prej ambasadorëve në rrugën e Shqipërisë në 5 vitet e fundit, ndërsa cilësoi si vizitën më të veçantë gjatë detyrës së tij si president, atë të Papa Françeskut.

Nishani shprehu gjithashtu keqardhjen për mungesën e përfaqësimit të Shqipërisë në selitë diplomatike të Vatikanit, OSBE dhe Këshillit të Europës.

“Me gjithë vullnetin dhe dëshirën time, Shqipëria ka mbetur fatkeqësisht peng i interesave meskine, deri diku dhe ende e papërfaqësuar në nivel ambasadori në selinë e Shenjtë në Vatikan, në OSBE dhe në Këshillin e Europës, tre seli shumë të rëndësishme për Shqipërinë. I kam siguruar drejtuesit dhe përfaqësuesit e këtyre selive se mungesa e përfaqësimit nga ambasadorët nuk lidhet aspak me një qëndrim politik të Shqipërisë ndaj tyre, por thjesht në aspekte institucionale të Shqipërisë. Besoj dhe shpresoj se kjo çështje do të trajtohet seriozisht nga qeveria e re shqiptare që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit dhe pasardhësi im në detyrën e Presidentit të Republikës”, u shpreh Nishani.

Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani në pritjen e lamtumirës me Trupin Diplomatik:

“I nderuar Dekan i Trupit Diplomatik, Zoti Ambasador Zari?, Shkëlqesi Ambasadorë, zonja të Ambasadorëve, zotërinj të Ambasadoreve, Të nderuar Konsuj Nderi të vendeve mike dhe aleate, Të nderuar ish-Ambasadorë të Republikës së Shqipërisë ndër vite, Zonja dhe zotërinj të pranishëm!

Së pari dëshiroj për pranimin e ftesës dhe praninë tuaj sonte në këtë takim përshëndetës! Ju siguroj se sonte nuk kam ndërmend që të bëj një analizë apo bilanc të bashkëpunimit diplomatik të Shqipërisë me vendet, popujt dhe organizatat që ju përfaqësoni, pasi këtë analizë dhe bashkëbisedim e kemi bërë shumë herë në raste të tjera. Por dëshiroj të shfrytëzoj këtë mbrëmje dhe praninë tuaj për të shprehur kënaqësinë dhe t’ju falënderoj, edhe stafet e Ambasadave dhe misioneve tuaja për bashkëpunimin e shkëlqyer që kam pasur gjatë këtyre viteve, si Kreu i Shtetit shqiptar me përfaqësuesit e vendeve mike dhe partnere.

Me disa prej jush kam pasur rastin e kënaqësinë që të njihem e bashkëpunoj që në ditët e para të mandatit tim Presidencial. Me të tjerët diçka më pak. Por ajo që mendoj se është shumë e rëndësishme është ajo çka së bashku kemi arritur në këto vite për t’i zgjeruar e forcuar më tej marrëdhëniet tona ndërshtetërore apo me organizatat ku Shqipëria bën pjesë e ato që ju përfaqësoni. Së bashku jemi takuar shpesh në evente të ndryshme tradicionale, por edhe në shumë aktivitete të veçanta e tematike dypalëshe apo edhe ato ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri. Sfidat dhe angazhimet gjatë këtyre viteve kanë qenë të shumta, si në kontekstin dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar. Për përballimin e tyre me sukses, unë dëshiroj të falënderoj gjithësecilin prej jush sonte për bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer që më keni dhënë dhe keni ofruar.

Si Kreu i Shtetit shqiptar, kam pasur nderin dhe kënaqësinë që gjatë këtyre pesë viteve të pres letrat kredenciale të pothuajse të gjithëve Ambasadorëve të huaj që janë të pranishëm sonte në këtë pritje, me ndonjë përjashtim të rrallë, por njëkohësisht kam pasur kënaqësi edhe të vizitoj apo të mirëpres homologë e zyrtarë të lartë të vendeve e organizatave tuaja. Gjatë mandatit tim presidencial u kam kushtuar një vëmendje shumë të veçantë marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet fqinje, të rajonit të Evropës Juglindore, por edhe atyre me organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, në funksion të politikës së jashtme të fqinjësisë së mirë dhe të orientimit evropian dhe euroatlantik të vendit. Në përmbushje të njërës prej tri përgjegjësive të mia si President i Vendit, në të gjitha takimet apo vizitat e mia me homologë dhe autoritetet e tjera të huaja, në qendër të vëmendjes ka qenë promovimi i marrëdhënieve të mira, miqësore e fqinjësore, si dhe demonstrimi i angazhimit të Shqipërisë si vend partner e i besueshëm në përballimin e sfidave e kërcënimeve, me të cilat po përballet bota e shoqëria njerëzore sot.

Të nderuar të pranishëm,

Vizita ime e parë dhe e fundit shtetërore gjatë mandatit presidencial ka qenë në Kosovë, si dhe kam pasur kënaqësinë që edhe të mirëpres dy Presidentë të Kosovës në Tiranë gjatë kësaj periudhe. Kosovën e kam vizituar edhe në shumë raste të tjera, por përveç vizitave shtetërore, në mënyrë të veçantë kujtoj 5-vjetorin e Pavarësisë, si dhe ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Hashim Thaçi.

E paharrueshme për mua si President, si për nga përmasat ashtu edhe nga mesazhet e dhëna, ishte mundësia për ta mirëpritur në Shqipëri Papa Françeskun, në shtator 2014. Mesazhet e Atit të Shenjtë, krahas mesazheve apostolike, ishin një inkurajim i madh për shqiptarët. Por edhe vizita ime në Vatikan në kuadrin e shenjtërimit të Nënë Terezës, sot Shën Tereza e Kalkutës, do të mbetet e pashlyer në kujtesën time.

Në kuadrin e axhendës rajonale, me ftesë të homologëve të mi, gjatë kësaj periudhe kam zhvilluar vizita zyrtare, në Slloveni, Mal të Zi, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, ku edhe njëherë gjej rastin t’i falënderoj Kryetarët e këtyre shteteve për mikpritjen e ngrohtë që më rezervuan gjatë këtyre vizitave. Po ashtu kam patur kënaqësinë e veçantë të mikpres në Tiranë, Presidentët e Maqedonisë, Bullgarisë, Bosnje-Hercegovinës. Një vëmendje të veçantë u kam kushtuar vendeve të rajonit, ku jeton në minoritet popullsi shqiptare. Në bashkëpunim me autoritetet e larta të atyre vendeve, kam vizituar shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi dhe në Serbi, duke përcjellë mesazhe bashkëjetese e bashkëpunimi, pavarësisht përkatësisë etnike. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe dëshirë për të evidentuar kontributin e Shqipërisë për një të ardhme më të mirë të rajonit, kam marrë pjesë aktivisht në të gjitha Samitet e Procesit të Brdo-Brijunit dhe të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe, ku së bashku me liderë të tjerë të vendeve pjesëmarrëse kemi arritur që të përmirësojmë ndjeshëm frymën e mirëkuptimit e të bashkëpunimit mes vendeve të këtij rajoni, që vetëm pak vite më parë përjetonte konflikte të dhunshme ndëretnike.

Drejtimi i Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në mbyllje të Kryesisë së Radhës së Shqipërisë, në maj 2015, ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë. Në këtë Samit, i cili u ndoq nga shumë krerë shtetet e qeverish të vendeve pjesëmarrëse në këtë Proces, Shqipëria demonstroi angazhim dhe përkushtim për çështjet e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të këtij rajoni.

Gjithashtu, vizita shumë të rëndësishme kam shkëmbyer me dy vendet fqinje anëtare të Bashkimit Evropian: Itali dhe Greqi si dhe në Turqi. Gjatë kësaj periudhë e kam vizituar dy herë zyrtarisht Italinë me ftesë të Presidentëve Napoletano dhe Mattarella dhe kam patur nderin t’i uroj mirëseardhjen në Tiranë Presidentit Napoletano. Kam pasur nderin gjithashtu të mirëpres në Tiranë Presidentin e Greqisë Karolos Papulias, si dhe të shkëmbej vizita zyrtare me Presidentin e Turqisë, Reccep Tayip Erdogan. Në Itali kam pasur kënaqësinë të vizitoj dhe komunitetin e vjetër arbëresh, që prej më shumë se 5 shekujsh ruan e promovon kulturën e traditat e të parëve të tyre shqiptarë. Sigurisht që një vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit me vende të ndryshme evropiane, me të cilat Shqipëria ka pasur një miqësi historike e tradicionale, por edhe për shkak të axhendës evropiane dhe reformave të thella që do ta afrojnë me Bashkimin Evropian. Kam pasur gjithashtu kënaqësinë e veçantë të mirëpres në Tiranë, Presidentët e Austrisë, të Hungarisë dhe të Maltës, Kapitenët Regjentë të San Marinos, si dhe Mjeshtrin e Madh të Urdhrit Sovran të Maltës, etj. Por në vizita të ndryshme pune apo evente të ndryshme ndërkombëtare, kam pasur kënaqësinë të shkëmbej mendime me Presidentët gjermanë Gauck e Steinmeier, si dhe me Presidentin e Francës, François Hollandë, mesazhet e të cilëve kanë qenë shumë inkurajuese për mua, Shqipërinë dhe shqiptarët, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian. Një kujtim i veçantë dhe i paharruar do të mbetet ftesa dhe pjesëmarrja në 90-vjetorin e lindjes së Presidentit të Izraelit, Shimon Peres.

Kam pasur gjithashtu kënaqësinë që gjatë këtyre viteve të vizitoj institucionet më të rëndësishme evropiane, që janë të lidhura ngushtësisht dhe me ecurinë dhe progresin e Shqipërisë pas ndryshimeve demokratike. Kam vizituar dy herë Këshillin e Evropës, institucionin që u bë garancia e mbrojtjes së të drejtave e lirive të njeriut të shqiptarëve që u ishin mohuar, dhunuar e nëpërkëmbur për afro 5 dekada nga regjimi komunist. Po ashtu kam vizituar dy herë Selinë e NATO-s në Bruksel, të Aleancës më të madhe politiko-ushtarake të planetit në takime të rëndësishme me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës. Deri 27 vite më parë Shqipëria ishte një vend ekstremisht i izoluar, ndërsa sot, anëtare e NATO-s dhe pjesë e hapësirës së saj të sigurisë. Dhe po ashtu kam vizituar dy herë institucionet evropiane, si Këshillin dhe Parlamentin Evropian, dhe jam takuar me drejtuesit e këtyre institucioneve, Presidentin Tusk, Presidentin e Parlamentit Shulc si dhe lidershipin e BE-së, si pjesë e agjendës evropiane të vendit dhe garancisë për standarde dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Takimet e shpeshta nuk kanë munguar as me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së dhe përfaqësues të tjerë të kësaj organizate.

Gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare, një vëmendje të veçantë i kam kushtuar edhe bashkëpunimit me Vendet e Lindjes së Mesme dhe ato Arabe të Gjirit, vende që i kanë dhënë një ndihmesë të vyer e bujare Shqipërisë dhe shqiptarëve, për kapërcimin e vështirësive ekonomike veçanërisht pas rënies së regjimit diktatorial, por edhe për angazhimin në investime të ndryshme zhvillimore. Kam pasur nderin të shkëmbej vizita zyrtare në Tiranë dhe Aman me Madhërinë e Tij, Mbretin e Jordanisë, Abdullah II, si dhe të vizitoj Shtetin e Katarit me ftesë të Emirit të Katarit. Së fundmi, pata rastin që me ftesë të veçantë të Mbretit të Arabisë Saudite dhe Kujdestarit të dy Xhamive të Shenjta të vizitoj vendet e shenjta në Mekë dhe Medina. Sigurisht që kam pasur dhe raste të tjera që të vizitoj edhe Emiratet e Bashkuara Arabe e të takohem me personalitete e drejtuesit e këtij shteti.

Lidhur me axhendën ndërkombëtare, kam pasur nderin t’i adresohem tri herë në emër të Shqipërisë, Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (67-të, 69-të dhe 71-të, respektivisht 2012, 2014 dhe 2016), si dhe të marr pjesë në tre Samite të organizuara me iniciativë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara e shumë të rëndësishme për fatet e njerëzimit. Samiti i Parisit për Klimën, i Stambollit për krizën humanitare të refugjatëve dhe ai i Kankunit për Reduktimin e Rrezikut të Katastrofave, kanë nxitur më shumë solidaritetin dhe bashkëpunimin mes vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara për t’i përballuar këto sfida afatgjata.

Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,

Sigurisht, që jo gjithçka ka shkuar ashtu siç do të dëshiroja dhe siç do ta kërkonte dhe meritonte interesi më i mirë i përfaqësimit të vendit dhe shqiptarëve jashtë. Me gjithë vullnetin e dëshirën time, Shqipëria ka mbetur fatkeqësisht peng i interesave meskine deri diku dhe ende e papërfaqësuar në nivel ambasadori në Selinë e Shenjtë në Vatikan, OSBE dhe në Këshillin e Evropës, tri seli shumë të rëndësishme për Shqipërinë. I kam siguruar drejtuesit dhe përfaqësuesit e këtyre selive se mungesa e përfaqësimit në rang ambasadori nuk lidhet aspak me një qëndrim politik të Shqipërisë ndaj tyre, por thjesht me aspekte të brendshme institucionale shqiptare. Shpresoj dhe besoj se kjo çështje do të trajtohet seriozisht nga Qeveria e re shqiptare që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit dhe pasardhësi im në detyrën e Presidentit të Republikës.

Zonja e Zotërinj!

Realizimi i shkëmbimit të vizitave të përmendura më lart, por jo vetëm, krahas bashkëpunimit shumëplanësh diplomatik të përfaqësive tuaja me Qeverinë shqiptare, nuk do të kishte qenë i mundur të realizohej suksesshëm pa një bashkëpunim intensiv e shumë efiçent me Ambasadorët e përfaqësuesit e këtyre vendeve, por edhe me Konsujt e Nderit të këtyre vendeve në Shqipëri.

Gjithashtu, një ndihmesë të veçantë kam pasur edhe nga konsultat shumë të mira e profesionale me një pjesë të mirë të ish-Ambasadorëve dhe diplomatëve shqiptarë, që kanë shërbyer prej vitesh denjësisht për Shqipërinë në vende e organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke më ofruar ndihmën me ekspertizën e tyre.

Ndaj dhe përfitoj nga rasti që t’ju falënderoj e shpreh të gjithëve mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur e më keni ofruar gjatë këtyre viteve, si dhe njëkohësisht t’ju uroj gjithsecilit prej jush personalisht, familjeve tuaja, që ju ndjekin e mbështesin në misionet tuaja, që të keni çdo të mirë në jetë, në familje, në karrierën tuaj të suksesshme dhe në bashkëpunimin e mëtejshëm midis Shqipërisë me vendet dhe organizatat tuaja.

Ju faleminderit edhe njëherë! Kënaqësi e veçantë që pata në bashkëpunimin me ju dhe njëkohësisht ju falënderoj për praninë tuaj sonte!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat