Masakra në Lushnje/ Motra e Laert Haxhiut: Ja pse duam të largohemi nga Shqipëria

Shqipëria

Masakra në Lushnje/ Motra e Laert Haxhiut: Ja pse duam të largohemi nga Shqipëria

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 20:53
Masakra në Lushnje

Familjarët e autorëve të dyshuar të masakrës me dy viktima në Lushnjë planifikojnë largimin nga vendi për shkak të ndonjë hakmarrjeje të mundshme.

Laert Haxhiu, 25 vjeç, dhe Orges Bilbili, 27 vjeç, të shpallur në kërkim për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, dyshohet se janë larguar tashmë jashtë territorit të Shqipërisë.

Në një kohë kur kjo nuk është e konfirmuar zyrtarisht, pasi mund të kenë përdorur dokumente false, nga ana tjetër konfirmohet se familjarët e tyre, të cilët jetojnë në një lagje në Lushnjë, po planifikojnë të largohen prej andej.

Frika se familjarët e viktimave mund të hakmerren ndaj tyre, ka bërë që të afërmit e të dyshuarve të kërkojnë më shumë siguri për jetën. Vetëm disa ditë më parë, vajza e vogël e familjes Haxhiu ka braktisur fakultetin me synimin për të kërkuar azil në një nga vendet e Bashkimit Europian. Ndryshe nga shumica e shqiptarëve që kërkojnë azil në BE duke emigruar në destinacion, K. Haxhiu, 20 vjeçe, i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Jashtme për t’i mundësua azilin duke parashtruar gjendjen në të cilën ndodhet familja e saj pas ngjarjes së ndodhur në Lushnjë, më 11 tetor të këtij viti.

E reja ka theksuar në kërkesë se familja e saj ndihet e frikësuar, pas shpalljes në kërkim të vëllait Laert Haxhiu si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së dyfishtë. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe familja e Orges Bilbilit. Mësohet se dy prindërit e 27- vjeçarit po përgatiten që të braktisin vendin e lindjes për të njëjtën arsye. Nga ana tjetër, Prokuroria e Lushnjës pranon se familjarët e dy autorëve të dyshuar po mbahen nën mbikëqyrje për të shmangur ndonjë hakmarrjeje të mundshme, por edhe për të zbuluar diçka më shumë mbi vendndodhjen e autorëve të vrasjes së dyfishtë. Një situatë e tillë është krijuar pasi në qytetin e Lushnjës kanë nisur të përhapen fjalë se të afërmit e dy të rinjve të vrarë mund të hakmerren për ngjarjen e ndodhur.

Burime pranë Prokurorisë Lushnjë bëjnë të ditur se ende nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e dy të dyshuarve. Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili prej ditës së ngjarjes nuk kanë pasur asnjë komunikim me familjarët e tyre, kjo edhe për faktin se ata mund të jenë në dijeni se telefonat e tyre janë në përgjim. Edhe vetë të afërmit e autorëve të dyshuar gjatë marrjes në pyetje kanë deklaruar se nuk kanë pasur komunikim me dy të shpallurit në kërkim. Por, nga ana tjetër, shprehen të bindur se nuk janë ata autorët e ngjarjes ku mbetën të vrarë Zamir Latifi, 26 vjeç, dhe Jurgen Hoxha, 22 vjeç, të dy miq të Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares (Alfred Shkurti). Latifi dhe Hoxha u ekzekutuan me kallashnikov ndërsa po qëndronin para një lokali. Mbi trupin e 26-vjeçarit ranë mbi 30 plumba, ndërsa Jurgeni mori shtatë të tillë.

Dyshohet se shënjestra e atentatorëve ishte miku i tyre Shkurti, i cili ishte larguar prej tyre vetëm pak minuta para ngjarjes, për të shkuar te berberi. Përveç dy personave të shpallur në kërkim si autorë të masakrës, policia po heton edhe për një person të tretë që ka ndihmuar Haxhiun dhe Bilbilin në kryerjen e atentatit. Laert Haxhiu, edhe pse ishte person i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë, lëvizte lirshëm dhe i armatosur në qytetin e Lushnjës. Më 25 shtator të vitit 2016, ai tentoi të vriste Xhulio Shkurtin. Në atentat dyshohet se mori pjesë dhe Orges Bilbili. Në atë kohë, bashkë me 23-vjeçarin Shkurti mbeti i plagosur dhe shoku i tij, Sajmir Xhelili.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat