Arsimi profesional, orientim drejt industrive eksportuese

Shqipëria

Arsimi profesional, orientim drejt industrive eksportuese

Nga: ATSH Më: 15 janar 2018 Në ora: 06:35
Arsimi profesional, orientim drejt industrive eksportuese

Arsimi profesional duhet të orientohet tek industritë prodhuese – eksportuese, pasi Shqipëria ka përpara një sfidë shumë të madhe për rritjen e eksporteve.

Kështu deklaroi ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj nga Lezha,ku theksoi se “viti 2017 ka qenë viti i parë kur në kontributin e ekonomisë, eksportet neto kishin kontribut pozitiv, për herë të parë”.

“Po çfarë i bëri eksportet neto pozitive? Shërbimet, eksporti i shërbimeve, turizmi. Këtu duhet të jemi spektakolar, pasi shumë shpejt do të përballemi me sfidën se sa do arrijmë të mbajmë numrat e turizmit.Ajo që unë dua të sjell në vëmendje të shkollës, por në vëmendje të gjithë politikëbërësve, është fokusi i kurrikulumit tek ato industri që eksportojnë. Shqipëria patjetër ka një sfidë shumë të madhe me eksportet. E para, ka akoma eksporte me vlerë të ulët. E dyta, e ka gamën e eksporteve shumë të ngushtë. Si mund të afrojmë ne industri të cilat janë prodhuese – eksportuese? Duke kaluar tek furnizimi i aftësive të përputhura me këto industri”, shtoi ai.

Ahmetaj zhvilloi një takim të zgjeruar për “Zhvillimin e aftësive dhe punësimin” me mbi 200 nxënës, mësues e sipërmarrës të shkollës profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë.

“Jam shumë i kënaqur që kryeministri dhe gjithë qeveria i kanë kushtuar një vëmendje jashtëzakonisht shumë të madhe arsimit profesional. Unë jam i bindur që nëse sot investojmë seriozisht tek arsimi profesional, pas 15 vitesh, 10 vitesh, do të kemi një ekonomi të hapur, konkurruese me aftësi të përputhura me industritë”, tha Ahmetaj.

Ministri theksoi se në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë po bëhet një analizë e detajuar për aftësimin profesional dhe punësimin, me qëllim afrimin e nevojave të tregut me ofertën për punë, edhe për të adresuar ato sfida me të cilat ekonomia shqiptare përballet sot.

“Në të njëjtën kohë, unë dua t’ju sjell në vëmendje që fundi i 2018, do të ketë një moment shumë interesant në vend sa i takon ICT. Kompani serioze, përfshirë partnerë dhe joint vetures të Lufthansa, janë shtruar në tregun shqiptar dhe në fund të këtij viti punësojnë gati 300 punonjës dhe këtu besoj që kurrikulumi duhet të ketë një ngjyrë ICT, të rëndësishme, intensive dhe të shërbyer nga ne. Tashmë kemi një mendim të maturuar që e ardhmja e ekonomisë shqiptare, konkurrueshmëria e ekonomisë shqiptare kërkon aftësi specifike, të cilat nuk furnizohen thjesht dhe vetëm nga Universitetet, por ka nevojë për këto qendra, ka nevojë për këto shkolla, që të përgatisin studentë në të gjitha profesionet, në aspektin teknik”, tha Ahmetaj.

Gjithashtu ministri theksoi nevojën për kualifikimin e punëkërkuesve aktivë në Shqipëri, sidomos ata që për shkak të moshës, gjeografisë apo aftësive, e kanë më të vështirë të punësohen.

“Duhet të mendojmë më zgjuar për përputhjen me nevojat që ka tregu i punës me atë që afron arsimi profesional dhe me ato që janë në terrenin e punëkërkuesve aktiv. Një punëkërkues aktiv ka nevojë të kualifikohet për të qenë i punësueshëm. Unë jam duke përpunuar një Urdhër të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë që do të detyrojë të gjithë punëkërkuesit të shkojnë falas në kualifikime”, u shpreh ministri, i cili bëri gjithashtu një premtim për ta kthyer shkollën profesionale të Lezhës në një qendër multifunksionale model në vend.

Shkolla profesionale Kolin Gjoka në Lezhë, është inauguruar para një viti, me kushte dhe standarde model për nxënësit e profileve hoteleri-turizëm, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi dhe Ekonomi. Mbi 400 nxënës mësojnë aktualisht në shkollë, nga të cilët 230 zhvillojnë praktikat profesionale në mbi 40 sipërmarrje lokale dhe jo vetëm, me të cilat shkolla ka marrëveshje bashkëpunimi.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punon për ridimensionimin e rolit dhe funksionimit të shkollave të arsimit profesional dhe qendrave të formimit, për t’i kthyer ato në qendra multifunksionale, rishikimin e kurrikulumeve me qëllim përputhjen e nevojat e tregut të punës për profesione dhe ngritjen e një platforme bashkëpunimi me sipërmarrjen dhe zyrat e punës, për ta kthyer në një standard të ri praktik në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat