Përfaqësues të shoqërisë civile së bashku me të afërm të të arrestuarve për protestën në Rrugën e Kombit protestuan mbrëmjen e sotme para Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Në këtë drejtori ndodhen një pjesë e protestuesve të arrestuar për shkak se paraburgimi në Kukës kishte mungesë ambjentesh për të akomoduar 24 banorët e ndaluar nga 36 urdhër-arreste në total të lëshuara nga prokuroria e Kukësit.
Krahas familjarëve dhe shoqërisë civile, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës zbarkuan edhe një pjesë e deputetëve të PD.
Pas konferencës së Lulzim Bashës, që i bëri thirrje Ramës që të lirojë protestuesit, disa nga deputetët e PD rreth orës 20:30 minuta iu drejtuan Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Tensionet nuk munguan as në Tiranë, ku krahas shoqërisë civile që u fut brenda Drejtorisë së Policisë Tiranë, edhe shumë prej deputetëve çanë gardhin dhe u futën brenda.
Mapo.al sjell për lexuesit e saj një kolazh të fotove, ku duken aktivistë të shoqërisë civile që protestojnë por dhe deputetët e PD, si Albana Vokshi, Flamur Noka, etj të cilët kërkuan të marrin informacion për të shoqëruarit.