Konsultime publike paralel me negociatat me koncesionarin për tarifën në Rrugën e Kombit

Shqipëria

Konsultime publike paralel me negociatat me koncesionarin për tarifën në Rrugën e Kombit

Më: 13 prill 2018 Në ora: 18:06

Në kuadër të konsultimeve me komunitetet lokale për tarifën e Rrugës së Kombit, zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli zhvilloi bashkëbisedime me banorë në qytetin e Hasit dhe atë të Kukësit.

“Për të mbaruar kjo rrugë, sipas projekteve fillestare të fizibilitetit, duhen 240 deri 260 milion euro pasi asnjë njeri nuk e ka bërë azhornimin se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit kur rruga natyrisht mund të ketë degraduar në element të rëndësishëm të saj. 260 milion euro që nuk janë. Borxhi që lahet çdo vit i kësaj rruge, principal plus interesa është rreth 40% e krejt taksës së qarkullimit që mblidhet në rang Shqipërie. Rruga është menaxhuar ashtu siç është menaxhuar dhe ka ardhur me një histori të veten ashtu sikurse ka ardhur. Kjo rrugë duhet mbaruar”, nënvizoi Shkreli.

Sipas Shkrelit, debati që shtrohet aktualisht nuk ka të bëjë me nëse do të ketë apo jo një kalim me pagesë pasi kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar këtë aset nga degradimi. Ai sqaroi se është duke u negociuar tanimë me kompaninë një formulë preferenciale për komunitetet lokale.

“Ideja këtu nuk shtrohet më që ta bëjmë rrugën me Toll apo pa Toll. Rruga pa Toll do të thotë një rrugë që nuk mirëmbahet dhe gjithë ato miliarda që janë harxhuar do shkojnë drejt degradimit”, u shpreh Shkreli.

Kryebashkiaku i Hasit Adem Lala tha se qytetarët e kësaj bashkie nuk janë kundër tarifës por kërkojnë që ajo të jetë e përballueshme. “Banorët që jetojnë në Has nuk janë kundër tarifës por tarifa duhet të jetë e veçantë për ne që e përdorim më shpesh këtë rrugë duke marrë parasysh gjendjen sociale dhe ekonomike që ka zona. Duhet që tarifa të jetë stimuluese për banorët e zonës sonë”, u shpreh ai.

Në takimin e zhvilluar në Kukës, Safet Gjici u shpreh optimist për gjetjen e një zgjidhjeje për sa i takon lehtësimit të tarifës së komuniteteve lokale.

“Zhvillimin më të madh këtu në Kukës e bën aeroporti. Nuk zhvillohet Kukësi po nuk hapëm aeroportin. Aeroporti për ne është A-ja e zhvillimit të Kukësit. Për sa i përket taksës besoj shumë shpejt qeveria do na japë dhe vendimin për taksën. Kuksianët kanë një kërkesë ekonomike. Janë çuar në protest për kërkesën për taksën e rrugës. Besoj se qeveria, duke negociuar fuqishëm me koncesionarin do të dalë në një zgjidhje shumë të pranueshme dhe në favor të qytetarëve”, insistoi Gjici.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat