Kompanitë nuk dihet ku janë, anullohet ndërtimi i centraleve me erë në Kavajë, Llogora dhe Karaburun

Shqipëria

Kompanitë nuk dihet ku janë, anullohet ndërtimi i centraleve me erë në Kavajë, Llogora dhe Karaburun

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 08:18
Foto ilustrim

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi në fund të qershorit që të shfuqizojë tre vendime të tij që i takojnë vitit 2008 dhe që sanksiononin licencimin e subjekteve për ndërtimin e parqeve eolike në zonën e Kavajës, Llogorasë dhe Karaburunit. Vendimi i parë i shfuqizuar është ai i datës 6 gusht 2008 për licencimin e shoqërisë “Union Eolica Albania” sh.pk.në veprimtarinë e ndërtimit, instalimit dhe shfrytëzimit të centraleve elektrike me erë, prodhimin e energjisë elektrike nga parqet eolike Kavajë.

“Referuar dispozitave të përgjithshme licencës pikës 1.2, kjo licencë hyn në fuqi brenda 36 muajsh, duke filluar që nga momenti i miratimit, për aktivitetin e ndërtimit dhe instalimit të centralit elektrik dhe për një periudhë prej 30 vjetësh, për prodhimin e energjisë elektrike. Subjekti nuk ka shprehur, si dhe nuk ka paraqitur kërkesë në ERE për zgjatjen e afatit të periudhës së ndërtimit prej nga momenti i licencimit, siç parashikuar në pikën 9.1 të licencës dhe nenin 24 pika 3 e VKM, nr.1701, datë 17.12.2008 “Për miratimin e rregullores për dhënien e autorizimeve, për ndërtimin e objekteve të reja gjeneruese të energjisë që nuk janë objekt koncesion” thuhet në vendimin e ERE.

Ky I fundit ka tentuar që të komunikojë me kompaninë por nuk është bërë e mundur gjetja e adresës së subjektit i cili e ka ndryshuar atë duke mos lajmëruar. Po kështu kompania nuk ka bërë pagesën e rregullimit sipas përcaktimeve ligjore. Referuar dokumenteve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit kompania rezulton e regjistruar në vitin 2007 ndërkohë që statusi i saj vijon të jetë aktiv. Veprimi i fundit  që rezulton në ekstraktin e kompanisë është bllokimi i titujve të pronësisë në vitin 2015 nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Tiranë.

Subjekti i dytë që i është hequr licenca përmes shfuqizimit të vendimit që ka bërë ERE është ENPOWER Albania sh.p.k e cila do të instalonte parqe eolike në Karaburun dhe Llogara. Edhe në këtë korrespondencat e ERE janë rikthyer sërish pranë saj pasi kompania ka ndryshuar seli duke mos lajmëruar ndërkohë që nuk ka paraqitur të dhëna për aktivitetin e saj pranë institucionit të lidhura këto me raportin vjetor, bilancet.

Vendimi I tretë ka sërish pjesë të saj kompania Enpower Albania sh.p.k por që shfuqizimi I tij lidhet me heqjen e licencës që i ishte dhënë kompanisë për tregtimin e energjisë elektrike.

Referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompania rezulton e regjistruar në tetor 2007, me status aktiv. Veprimet e saj të fundit në ekstrakt I korrespondojnë vitit 2016 kur është bërë dorëzimi i bilancit vjetor të 2009-ës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat