Raporti i KLSH/ Modeli i PD, Xhelal Mziu ‘avullon’ 322 mijë USD në 6 tendera

Shqipëria

Raporti i KLSH/ Modeli i PD, Xhelal Mziu ‘avullon’ 322 mijë USD në 6 tendera

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 07:30
Xhelal Mziu

Teksa kryetari i opozitës, Lulzim Basha, kërkon konfiskimin e pasurive të personave publikë dhe privatë, që burojnë nga paratë publike, në Bashkinë e Kamzës, e cila drejtohet nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, vetëm përmes 6 procedurave tenderuese abuzive kanë ‘avulluar’ 35,092,429 lekë ose 322 mijë USD. Tenderat abuzivë janë një nga gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë ushtrimit të auditimit financiar në Bashkinë e Kamzës. Raporti i kontrollit është miratuar në 17 prill 2018, ndërsa kontrolli është krye për periudhën kohore nga data 01.01.2016 deri më datën 31.12.2017.

Efektet negative financiare janë shkarkuar me tenderat për ndërtimin e rrugës “Liria” Frutikulturë me fond limit 66,668,100 lekë, ndërtimin e rrugës Abdi Bej Toptani”, me fond limit 76,026,526 lekë, ndërtimin e rrugës Demokracia III, me fond limit 44,167,408 lekë, rikonstruksionin e rrugëve kodër e kuqe me fond limit 51,960,948 lekë, rikonstruksionin e qendrës shëndetësore Kamëz”, me fond limit 69,894,608 lekë dhe për pastrime në territorin e Komunës Paskuqan”, me fond limit 18,500,000 lekë.

“Bashkia Kamëz nëpërmjet strukturave përkatëse, të marrë masa të menjëhershme për eliminimin e praktikave të kualifikimit dhe shpalljes fitues të operatorëve ekonomik për 6 procedura prokurimi të llogaritura si diferencë e vlerave të ofertave ekonomike në vlerën 35,092,429 lekë, mos përdorim me efektivitet, eficencë në kushtet e mos plotësimit të kritereve të miratuara në DST, procedura të cilat deri më tani kanë sjellë pasoja me efekte negative të pamatshme”, thuhet në raportin e KLSH, shkruan shqiptarja. Po ashtu, KLSH ka audituar vetëm 6 investime nga bashkia, ku tek të gjitha ka konstatuar diferenca në volume pune të pakryera. “Në 6 investimet e audituara në Bashkinë Kamëz, me vlerë totale të kontratave 241,256,058 lekë me tvsh nga verifikimi i dokumentacionit teknik të zbatimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të punimeve të ndërtimit të administruara në dosjet teknike si dhe nga verifikimi në terren, rezultuan diferenca në volume pune të pakryera në vlerën 814,122 lekë pa tvsh si dhe mangësi në dokumentacion”, vijon raporti.

Financimi 463 mijë USD

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hedhur dyshime të forta mbi përfundimin e 50,370,000 lekëve ose të 463 mijë USD, të akorduara nga Bashkia e Kamzës për një kompani, për funksionimin dhe mbarëvajtjen e ekipit të futbollit, ku bashkia është aksionare në masën 49% të aksioneve, ndërsa 51% të aksioneve i ka shoqëria në fjalë.

“Në vitet 2016, dhe 2017, Bashkia Kamëz, ka financuar shoqërinë... në shumën 50,370,000 lekë nga të cilat në vitin 2016 në shumën 18,700,000 lekë dhe në vitin 2017 në shumën 31,670,000 lekë për “funksionimin dhe mbarëvajtjen e ekipit”. Shoqëria... për aktivitet sportin e futbollit, në të cilën Bashkia Kamëz, është aksionare në masën 49% të aksioneve ndërsa 51% të aksioneve i ka shoqëria... Alokimi i fondeve, është bërë sipas miratimit me Vendime të Këshillit të Bashkisë dhe Vendimeve të Asamblesë së Aksionarëve të Shoqërisë në datat 06.01.2016 dhe datë 4.01.2017. Nga Bashkia Kamëz, nuk na u paraqitën të dhëna nëse edhe shoqëria..., ka përmbushur detyrimet e saj ndaj shoqërisë..., në raport me pjesëmarrjen në aksione për vlerën 52,425,918 lekë, sipas miratimeve me Vendime të Asamblesë së Aksionarëve të Shoqërisë, në zbatim të kërkesave të ligjit nr. 139/2015

“Për vetëqeverisjen vendore” dhe të ligjit nr. 7892, datë 21.12.1994 “Për sponsorizimet”. KLSH kërkon që Bashkia e Kamzës të mos financojë në vijim shoqërinë në fjalë nëse nuk paraqet dokumente financiare që të vërtetojë se ka përmbushur detyrimet e veta financiare si dhe të kërkojë auditim mbi përdorimin e fondeve të alokuara.

Kostoja e largimit të punonjësve

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se konstatoja e largimit të padrejtë nga puna në Bashkinë Kamëz dhe ish-Komunën Paskuqan është 4,762,578 lekë. “Për periudhën 01.01.2016 deri më datë 31.12.2017, punonjësit e larguar nga puna nga Bashkia Kamëz dhe ish-Komuna Paskuqan, janë paguar sipas vendimeve të Gjykatës së Apelit Tiranë, në vlerën 4,762,578 lekë për 7 ish punonjës me efekte negative në buxhetin e Bashkisë. Çështjet gjyqësore, nuk janë ndjekur në Gjykatën e Lartë, Kolegji Administrativ Tiranë, veprim në papajtueshmëri me nenin 12 pikën 3, të ligjit nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar”, thuhet në raport. 

Konstatimet e KLSH për tenderat

1. Në procedurën e prokurimit me objekt: “Ndërtim rruga “Liria” Frutikulturë dhe rrethrrotullim”, me fond limit 66,668,100 lekë, është shpallur padrejtësisht fituese kompania..., duke shkarkuar 11,964,644 lekë dëm ekonomik.

2. Në procedurën e prokurimit me objekt: “Ndërtim rruga Abdi Bej Toptani”, me fond limit 76,026,526 lekë, zhvilluar në vitin 2017, është shpallur padrejtësisht fituese kompania..., duke shkarkuar 2,799,160 lekë dëm ekonomik.

3. Në procedurën e prokurimit me objekt: “Ndërtim rruga Demokracia III (Aksi Ura Babrru-Ura Babrru, Fushë Kerçik)”, me fond limit 44,167,408 lekë, zhvilluar në vitin 2016, është shpallur padrejtësisht fituese kompania..., duke shkarkuar 9,547,365 lekë dëm ekonomik.

4. Në procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksion i rrugëve kodër e kuqe (Konferenca e Bujanit+Ndoc Gjetja+impiani i shkarkimit të Bovillë”, me fond limit 51,960,948 lekë, është shpallur padrejtësisht fituese kompania..., duke shkarkuar 5,587,770 lekë dëm ekonomik.

5. Në procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksion qendra shëndetësore Kamëz”, me fond limit 69,894,608 lekë, është shpallur padrejtësisht fituese kompania..., duke shkarkuar lekë 3,792,127 lekë dëm ekonomik.

6. Në procedurën e prokurimit me objekt “Kryerja e Sherbimit te Pastrimit ne Territorin e Komunës Paskuqan”, (ish-Komuna Paskuqan), me fond limit 18,500,000 lekë, është shpallur padrejtësisht fituese kompania..., duke shkarkuar lekë1,401,363 lekë dëm ekonomik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat