Rama i paralajmëron të gjithë: Kush shpif për ne do të paditet! - Bota Sot
Rama i paralajmëron të gjithë: Kush shpif për ne do të paditet!

Shqipëria

E hënë, 22 tetor 2018

Rama i paralajmëron të gjithë: Kush shpif për ne do të paditet!

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 16:32
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që t’i japë punë shtesë gjykatave shqiptare me një paralajmërim të paprecedentë në politikën shqiptare, do të paditet kushdo që shpif për qeverinë, ministrat apo qoftë dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste.

Përmes një postimi në rrjetin social, kryeministri i vendit ka bërë publik vendimin e tij për të paditur këdo dhe cilindo që sipas tij do të shpifë për qeverinë e socialistët. Kreu i qeverisë shkruan se s’mund të durojë dot më llumin e baltës dhe sajesat politike që bien në kurrizin e qeverisë që ai drejton.

Kësisoj Rama ka bërë një paralajmërim për të gjithë, kush shpif do të paditet në gjykatë. Kryeministri e ka “zbukuruar” më tej paralajmërimin e tij për përballje në gjykatë, duke thënë se paratë e fituara në gjyqe do t’i shkojnë fondit të edukimit.

Rama shprehet se në PS do të ngrihet një departament “anti-shpifje”, i cili do të ketë për detyrë detektimin e tyre, ndërsa më pas beteja do të vijojë në gjykatë.

STATUSI I RAMËS:

Propozim për mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar dhe Qeverisë:

ÇDO SHPIFJE NË FONDIN E EDUKIMIT????????????

Asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje.

Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë.

Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t'u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq!

Çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit. Ky fond do të krijohet prej nesh për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore.

Fondi i Edukimit, do të garantojë që paratë e ardhura nga gjyqet që do të bëjnë kryeministri, ministrat, deputetët, kryebashkiakët socialistë apo të tjerë veprimtarë të forcës sonë politike të gjendur përballë një shpifjeje, të shkojnë në destinacion, mbështetur në propozimin e fituesit të gjyqit.

Fondi i Edukimit do të ketë një bord drejtues, të zgjedhur me propozimin dhe miratimin e mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar e qeverisë. Ky bord do të trajtojë propozimet e lartpërmendura dhe është e vetmja instancë që mund të vendosë tërheqjen nga një proces gjyqësor për shpifje.

Në Partinë Socialiste do të ngrihet menjëherë Departamenti Antishpifje. I cili do të koordinojë dhe ndjekë ecurinë e betejës sonë frontale ligjore kundër Shpifjes.

Kazanpolitika dhe kazanmedia, s'mund ta kthejnë Shqiperinë në kazan. Shpifësit duhet të paguajnë dhe ne nuk do t'i kalojmë më në heshtje apo me reagime politike, fëlliqësitë e tyre. Çdo shpifje ndaj nesh, do ta kthejmë në të ardhura për Fondin e Edukimit.

Ngarkohet një grup pune, për përgatitjen e dokumentave të themelimit dhe funksionimit të Departamentit Antishpifje dhe Fondit të Edukimit. Këto struktura duhet të jenë operacionale, menjëherë pas kalimit në Kuvend të Paketës Antishpifje.

Ky propozim është i hapur për kontributet e çdo pjesëtari të mbledhjes së zgjeruar, por edhe propozimet e çdo miku të këtij rrjeti social janë të mirëpritura.

...

Shënim për ju: Këshilli i Ministrave do të diskutojë së shpejti projekt-vendimin për reagimin e detyruar ligjor ndaj shpifjes, të çdo institucioni apo enti publik në Republikën e Shqipërisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test