Fadil Dobroshi tregon si u formua Federata e Basketbollit e Kosovës, për kërcënimet dhe Kuvendin e parë  

Basketboll

Fadil Dobroshi tregon si u formua Federata e Basketbollit e Kosovës, për kërcënimet dhe Kuvendin e parë  

Nga: Kemajl Goca Më: 3 korrik 2021 Në ora: 14:54
Fadil Dobroshi tregon si u formua Federata e Basketbollit e Kosovës, për kërcënimet dhe Kuvendin e parë  

Burrat e mëdhenj në fushëbetejë të ashpër me regjimin serb në periudhën 1991-1999. 

Sportistët shqiptarë u sulmuan nga pushtuesi serb, u uzurpuan stadiumet dhe palestrat sportive. 

Pushtuesit serb bënte terror të paparë në çdo gjë shqiptare, uzurpoi shkollat, Universitetin, dëboi nga puna punëtorët shqiptarë dhe nuk la gjë pa bë.

Image

Edhe në ato kushte të rënda, sportistët u organizuan në çdo degë sportive, formuan Kampionatet e pavarura të Kosovës dhe i thonë jo garave me klubet ish jugosllave dhe serbe.

Fadil Dobroshi, një burrë i qetë dhe i matur, veproi në kohën e duhur me shumë shokë, me zgjuarsi e guxim, mori përgjegjësinë e madhe në vjeshtën e vitit 1991, emërohet sekretar i përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Dobroshi tregon si u formua Federata e Basketbollit e Kosovës, cilët ishin nismëtar dhe për kërcënime të panumërta nga regjimi serb. 

“Shqiptarët nuk i pranonin normativat e propozuara nga Federata e Serbisë. Kah fillimi i vitit 1991, të pakënaqur me këto propozime, z. Bardhyl Nushi, z. Blerim Vula dhe unë, u takuam dhe filluam me u marr me shkëputjen nga kthetrat e Serbisë, për ta formuar FBK-në e pavarur. 

Gjatë përgatitjes për pavarësimin e basketbollit, ndihmën na kanë ofruar edhe Rashit Sejdiu, përfaqësues i FPSK-së në postin e Sekretarit dhe Agim Kasapolli bartës i sporteve në Sindikatën e Kosovës, të cilët vazhduan me bashkëpunuar sidomos Agim Kasapolli.

Në punë e sipër, u formua grupi nismëtar për përgatitjen e Kuvendit, zgjedhjen e organeve, aprovimin e të gjitha akteve normative gjer te rregulloret e garave.

Grupi nismëtar ishte në përbërje prej:

1. Bardhyl Nushi, ( i ndjeri);
2. Agim Kasapolli;
3. Rashid Sejdiu;
4. Adnan   Kraja; 
5. Bashkim Vesvesja dhe
6. Unë Fadil Dobroshi.

Më 30.11.1991 u mbajt mbledhja e  I e Kuvendit. Në këtë Kuvend,  morën pjesë delegatët nga këto klube: Prishtina, Trepça, Besa, Vëllaznimi, Bashkimi, Kona Sport, Ylli, Kastrioti, Drita, Besiana dhe Llamarina. 

Për shkaqe organizative dhe financiare u tërhoqën disa klube nga garat por disa tjera, me kalimin e kohës u kyqën.
Në mbledhjen e I të Kuvendit, u aprovua Statuti dhe të gjitha rregulloret. 

U zgjodh Kryesia në përbërje prej:  Isuf Lumi ( i ndjeri ), Agim Kasapolli, Ferid Zekolli, Blerim Vula, Agim Visoka ( i ndjeri ), Besim Imrihori, Bardhyl Nushi dhe Unë (Fadil Dobroshi).

Gjatë dy mandateve ( 1991 - 1997 ), janë ndërruar dhe plotësuar anëtarët e rinj të Kryesisë me emra të rinj sikur që janë: Behlul Beqaj, Murat Broja, Valdet Spahiu, Bashkim Vesvesja ( tani i ndjerë), Blerim Vuniqi, Jahir Hasani, Tajar Rifatit, Skënder Gashi, Adelina Çipa, Mehmet Tahiri, Veton Kajtazi (i ndjerë), Faton Canhasi, Agim Lluka...

Për kryetar u zgjodh Isuf Lumi mandati i të cilit zgjati deri më 11.12.1994. Në mandatin e radhës më 11.12.1994, për kryetar u zgjodh Behlul Beqaj mandati i të cilit zgjati deri në ndërprerjen e garave më fundin e 1997 për shkak rrezikshmërisë së lart nga hordhitë dhe kriminelët serb”, tregon Dobroshi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Gjithçka ishte e vështirë në vjeshtën e vitit 1991.

Image

Sportistët tanë u ballafaquan me kërcënimet të llojllojshme dhe nga më të rënda. Megjithatë edhe në këto kushte e rrethana i zhvilluan  garat në salla të improvizuara  e ambiente të hapura. 

Dobroshi tregon se edhe kur u zhvillua ndeshja e parë.   

“Ndeshjet e para u organizua më 09.12.1991 në Bellanicë të Malishevës. Ekipet që garuan ishin:
Besiana – Ylli    54:47

Bashkimi -  Trepça    49:53....etj.

Vlen të theksohet që raportet e bashkëpunimit dhe kryerjes së detyrave kanë qenë të mrekullueshme.

Aktet normative në përpikëri janë zbatuar edhe pse në momente kanë qenë shumë të rënda sikur që ishte vendimi për shqiptimin e dënimit, largimin nga liga e parë të ekipit -kampion për mos respektimin e propozicioneve të lojës, dënimin për një vit të një lojtari dhe një trajneri për shkak të mos përfilljes për marrjen e pëlqimit nga Federata, për të kaluar në ekipe tjera, etj.”, tha më tej. Edhe në ato rrethana të terrorit serb, drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, kanë bërë orvatje të kontaktojnë me federatat e jashtme.

“Kryesia ka tentuar të vë kontakte edhe me botën e jashtme. Sipas Vendimit të Kryesisë, duhej të kontaktonim me Federatën Turke të Basketbollit. Për këtë kontakt ishin autorizuar: Valdet Spahiu, Agim Kasapolli dhe unë por ky udhëtim u ndërpre në kufi, sepse pasaporta  e Valdetit ju konfiskua për shkak të udhëtimit në Shqipëri.

Kemi patur zhvillime të kontakteve me Shqipërinë, kemi zhvilluar disa ndeshje me reprezentacionin në vitin 1996”, kujton Dobroshi ato vështirësi.

Probleme të panumërta, kërcënime e kërcënime nga milicia e pushtuesit serb.  

“Gjatë këtyre viteve kemi pas pengesa të panumërta si ajo në Pejë, në shkollën fillore “ 8 Mars ku na ndërprenë lojën dhe tentuan që Valdet Spahiun ta keqtrajtojnë fizikisht.

Rasti, ku gjatë kohës të kthimit nga ndeshja e zhvilluar në Pejë, në tren, hyn policia dhe na kontrollojnë: referët Mehdi Gashi, Agim Visoka dhe mua. Mua mi gjetën vulën e Federatës, Propozicionet e ndeshjeve dhe procesverbalin e ndeshjes. Tërë kohës më kërcënuan por në fund na liruan me arritje në Fushë Kosovë me kërcënim që nëse takohemi sërish, do të më burgosin.

Më e rënda ka ndodh më 05.05.1995 në Mitrovicë, në Tavnik, gjatë zhvillimit të ndeshjeve, ishte rrethuar shkolla nga policia ku zhvillohej ndeshja e ndërprenë ndeshjen, referët Muhamet Ahma  dhe Azem Hoxhaj janë rrahur dhe lidhur për radiator, pastaj kanë vazhduar rrahja në polici.

Janë dërguar në polici Veton Kajtazi, Blerim Krasniqi dhe Osman Brecën të cilët i kanë malltretuar. 

Më së keqi ka pësuar Kryetari i Trepçës Mehmed Tahiri i cili e ka marr përgjegjësinë për ta shpëtuar Federatën. Mehmet Tahirin e kanë mbajt në burg mbi dhjet ditë. Në momentin e fundit, fal intervenimeve e kanë liruar e nuk kanë ngrit procedurë penale.

Kjo ishte një segment dhe ajo që mu kujtua pas 30 viteve”, tregon Dobroshi.

Ai më tutje iu është mirënjohës të gjithëve që kontribuan për basketbollin dhe sportin në përgjithësi.  

E ndijë si obligim moral, që nga zemra t’i falënderoj të gjithë sponzorët e klubeve, referët dhe delegatët, shkollat që na siguruan hapësirat për zhvillimin e ndeshjeve. Pa ndihmën e tyre, basketboll në Kosovë nuk kishte pas”, përfundon Dobroshi, ish sekretari i parë i përgjithshëm i FBK-së.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat