FBK i motivon vashat e Kosovës të merren me basketboll

Basketboll

FBK i motivon vashat e Kosovës të merren me basketboll

Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 13:16
FBK i motivon vashat e Kosovës të merren me basketboll

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, më 17 maj ka qenë mysafire nderi në programin FIBA Time Out 2.0, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës së Basketbollit të Letonisë, Kaspars Cipruss. Qëllimi kryesor i këtij sesioni ka qenë një prezantim i shkurtër i veprimtarisë, udhëtimi nëpër karrierë dhe roli specifik i Sekretarit të Përgjithshëm në një federatë kombëtare.

Më saktësisht Dushku dhe Cipruss para studentëve të programit FIBA Time – Out 2.0 kanë folur për atë se çfarë përfshin puna e Sekretarit të Përgjithshëm, rolet dhe përgjegjësitë, detyrat kryesore, puna me grupet e interesit, menaxhimi i stafit, mënyra e të raportuarit, si dhe komunikimi me faktorët e brendshëm dhe të jashtëm.

Dushku ka folur për karrierën e saj si basketbolliste, më pas si gazetare e sportit, koordinatore në KBF Prishtina, për punën vullnetare të saj në Organizatën për Edukimin

Sportiv në Kosovë (OESK), si dhe për punën në FBK-së si zyrtare për marrëdhënie me publikun dhe krejt në fund, viti 2017 e tutje, për punën e saj në FBK në rolin e Sekretares së Përgjithshme.

Alma dhe Grapeland fitojnë në turneun 3x3

Është mbajtur turneu 3x3, organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Turneu është organizuar në konkurrencën e meshkujve dhe atë të femrave. Te meshkujt kanë marrë pjesë 12 ekipe, duke dhuruar spektakël në Prishtinë. Në finale janë takuar Air Force dhe Grapeland. Pas një sfide shumë të bukur dhe dramatike, ekipi nga Rahoveci ka fituar 17:19, me dy pikë në fund nga Bardh Rexha. Ekipi Grapeland më pas përfaqësoi Kosovën në turneun e FIBA-s në 3x3.
Ekipi i Grapeland përbëhej nga Bardh Rexha, Visar Ejupi dhe Altin Selmancena, derisa Kupën ia dorëzoi anëtari i Bordit të FBK-së, Leart Hoxha.

Ekipi Alma ka triumfuar në konkurrencën e femrave, në turneun 3x3. Në finalen e femrave, Alma ka mundur ekipin 3x3 Prishtina me rezultat 19:13.

Ndeshja finale ishte mjaft e bukur dhe atraktive, kurse në fund festoi ekipi Alma, që përbëhej nga Arbnore Përquku, Saranda Daci, Diedona Halitaj dhe Marigona Rushiti, derisa Kupën ia dorëzoi Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.

Mbahet Festivali i Minibasketbollit
Federata e Basketbollit e Kosovës me sukses ka organizuar Festivalin e Minibasketbollit.

Kjo është hera e parë që mbahet një organizim i tillë. Në këtë Festival të Minibasketbollit kanë marrë pjesë 18 ekipe, në konkurrencën e meshkujve dhe atë të femrave.

Rreth 250 fëmijë ishin pjesëmarrës, duke u argëtuar për më shumë se tre orë. Garat janë zhvilluar në “Don Bosko”.
Qëllimi i organizimit ishte pjesëmarrja e sa më shumë fëmijëve dhe të argëtohen mes vete, ndërsa nuk kishte karakter garues.
Fëmijët ishin shumë të lumtur me organizimin dhe lojërat e zhvilluara mes tyre, derisa në fund të gjitha skuadrat në fund kanë marrë nga një Kupë.

Federata e Basketbollit e Kosovës shpreson në masivizimin e basketbollit në të dyja konkurrencat, derisa ky organizim ishte një shenjë pozitive se fëmijët e duan basketbollin dhe një ditë duan të bëhen profesionist.

Kongresi Afatmesëm, FIBA lavdëron FBK-në për Planin Strategjik 2021-2025

Më 3 Qershor, është mbajtur Kongresi Afatmesëm i FIBA-s, ku nga Kosova kanë marrë pjesë kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku. Në përgjithësi morën pjesë 161 delegatë nga Federatat Nacionale, si dhe anëtarët e Bordit Qendror të FIBA-s, Drejtorët Ekzekutivë të FIBA-s nga pesë Zyrat Rajonale dhe Kryetarët e Komisioneve të FIBA-s. Kongresi ishte ‘Online’.
Andreas Zagklis, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, dha një raport gjithëpërfshirës mbi aktivitetet e FIBA-s dhe mënyrën se si FIBA i është përgjigjur pandemisë, së bashku me Objektivat Strategjikë të FIBA-s për 2019-2027, duke u përqendruar në aktivitetet aktuale në lidhje me tre përparësitë strategjike për 2019-2023: Federatat, Gratë në Basketboll dhe Zgjeroni Familjen së FIBA-s.

FIBA ka lavdëruar FBK-në për punën e bërë, duke mos u ndaluar gjatë pandemisë, ku edhe pse u anuluan garat, Shtëpia e Basketbollit të Kosovës ka punuar për Planin Strategjik 2021-2025 dhe nuk është ndalur asnjëherë. Ky Plan Strategjik është bërë në bashkëpunim me FIBA-n dhe përmban planin e dejatuar për zhvillimin dhe masivizimin e basketbollit të Kosovës.

Kosova 3x3 ka marrë pjesë në fazën e grupeve në kualifikimet e FIBA Europe Cup në 3x3. Dardanët në ndeshjen e fundit kanë pësuar humbje nga Ukraina me rezultat 19:10. Për Kosovën pikët i shënoi Visar Ejupi pesë pikë, Bardh Rexha katër dhe Altin Selmancena një.

Më herët, Dardanët pësuan humbje nga Hungaria 21:12 dhe nga Britania e Madhe 22:13.
Në konkurrencën e femrave Kosova ka pësuar humbje nga Estonia me rezultat 21:8 dhe nga Bjellorusia 17:8. Kjo është hera e parë që Kosova garon në konkurrencën e femrave në 3x3.

FBK i motivon vashat e Kosovës të merren me basketboll

Më 7 dhe 8 Korrik është zhvilluar Kampi “Hoop Girls”, që ka për qëllim promovimin e femrave në basketboll dhe roleve të ndryshme përmes të cilave ato kontribuojnë në zhvillimin e basketbollit dhe për të rritur pjesëmarrjen e femrave në basketboll.
Kampin e hapi, Edita Medunjanin, përgjegjësja e organizimit, e cila është shprehur se, vajzat jo vetëm që duhet të merren me basketboll, por edhe të vazhdojnë karrierën në sport, duke punuar si trajnere, gjyqtare, si administratore në klube dhe në strukturat udhëheqëse në klube. Ajo ftoi Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushkun dhe Nënkryetaren e FBK-së, Linda Shala të tregojnë përvojat e tyre në basketboll, por edhe si lidere.
Në ditën e dytë ishte vizita e Drejtorit të Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, i cili mbështet vajzat, së bashku me basketbollistin e Kosovës, Gëzim Morina dhe Anjesa Hazeraj, si gjyqtare.

U mbajt Kampi Nacional i FBK-së
Prej 4 deri më 10 Korrik ka përfunduar Kampi Nacional i Federatës së Basketbollit të Kosovës. Kampi u organizua në palestrën “Don Bosko” për vajzat dhe djemtë U14, derisa është udhëhequr Arben Krasniqi, Drejtor Teknik në FBK.
Kampi është mbajtur në kuadër të programit të FIBA Europe për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (Youth Development Fund/YDF). Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e projektit të përbashkët të FIBA Europe Youth Development Fund tash e pesë vite së bashku me Federatën e Turqisë (udhëheqëse e projektit), Rumanisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Fëmijët e këtij kampi ishin kandidatë potencialë për të qenë pjesë e Qendrës Nacionale të Basketbollit.
Presidentja, ish-presidentja e shumë personalitete përkrahin Kosovën A te femrat
Kosova A – Femrat për herë të parë ka garuar në arenën ndërkombëtare, ndërsa në stërvitjet e zhvilluara në Prishtinë ka pasur përkrahje të madhe.
Fillimisht ishte kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, që i ka motivuar për suksese, ndërsa janë vizituar edhe nga Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe Nënkryetarja e FBK-së, Linda Shala.
Vashat kosovare i vizituan dhe i ofruan përkrahje e suksese në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla në Qipro, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ish-Presidentja, Atifete Jahjaga, ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ish-basketbollistja e gjeneratës së artë, Shemisje Stublla dhe zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani.

Medalja e bronztë për Kosovën

Kosova A e ka mundur Maltën 70:60, duke e fituar medaljen e bronztë duke përfunduar kështu e treta në FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla.

Kjo ishte hera e parë që vashat e Kosovës luajnë në garat ndërkombëtare.

Te Kosova u dalluan Era Shatri me 17 pikë e 15 kërcime, Saranda Daci me 14 pikë e 13 kërcime dhe Alexis Tolefree me 16 pikë.

Kjo ishte ndeshja e fundit për Kosovën në këtë Evropian, që ishte i suksesshëm duke marrë parasysh se ishte hera e parë që garon në arenën ndërkombëtare në konkurrencën e femrave.  
Kosova kishte debutuar me fitore ndaj Qipros me rezultat 68:70, me një tre pikësh në fund nga Alexis Tolefree, e cila hyri edhe në top 5 të Evropianit..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat