Super spektakël i basketbollit 3x3

Basketboll

Super spektakël i basketbollit 3x3

Më: 6 korrik 2023 Në ora: 15:27
Foto ilustrim

Nga 14 deri më 16 korrik organizohet FIBA 3x3 Women's Series dhe FIBA 3x3 Challenger Prishtina, ku FBK është bashkëorganizatore e kësaj ngjarje (ndërsa organizatore është Prishtina 3x3). Ky event zhvillohet në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në qendër të Prishtinës.

FIBA 3x3 Women’s Series është ngjarja numër një në basketbollin profesionist të 3x3 në konkurrencën e femrave. Edicioni filloi në maj dhe përfundon në shtator.

Shpërblimi në total është 1 milion dollarë nga të gjitha organizimet.

Në përgjithësi do të zhvillohet në 23 qytete anembanë botës, ndërsa fillon nesër në Wuhan të Kinës, për të përfunduar në Mongoli në shtator.

14 shtete do të marrin pjesë në FIBA 3x3 Women’s Series që do të organizohet në Prishtinë: Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holanda, Lituania, Hungaria (2 ekipe), Letonia, Azerbajxhani (2 ekipe), Izraeli, Ukraina, Turqia, Kosova dhe Gjermania.

Për Kosovën femrat do të paraqiten: Saranda Daci, Enisa Kamerolli, Agnesa Rrahmani dhe Sara Vraniqi.

Super garë pritet edhe 3x3 te meshkujt, ku garojnë: Antwerp i Belgjikës, Amsterdam i Holandës, Raudondvaris i Lituanisë, Miami i SHBA-së, Dusseldorf i Gjermanisë, NY Harlem i SHBA-së, Warsaw i Polonisë, Tel-Aviv i Izraelit, Fribourg i Zvicrës, Versailles i Francës, San Juan i Porto Rikos, Ashdod i Izraelit, Bojnice i Sllovakisë, BarBon i Prizrenit nga Kosova.

Në ditën e parë ndeshjet do të fillojnë nga ora 14:00 dhe do të vazhdojnë deri në ora 23:00. Në ditën e dytë ndeshjet do të fillojnë nga ora 10:00 deri në ora 23:00 dhe në ditën e tretë nga ora 18:00 deri në ora 22:30.

Edhe në këtë ngjarje do të ketë shumë lojëra shpërblyese, muzikë dhe gara të ndryshme dhe janë jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat