Ulpiana Emra: Befasia e kësaj sezone - Peja 03, Bashkimi ka përparësinë dhe Prishtinën e shoh një hap prapa

Basketboll

Ulpiana Emra: Befasia e kësaj sezone - Peja 03, Bashkimi ka përparësinë dhe Prishtinën e shoh një hap prapa

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 6 shtator 2023 Në ora: 16:12
Ulpiana Emra

Basketbollit i Kosovës ka pas ngritje në vitet e fundit në konkurrencën e femrave.

Edhe në edicionin e ri përkatësisht 2023 - 2024 do të ketë një rivalitet mes disa ekipeve por si befasi e këndshme pritet të jetë Peja 03.

Ish basketbollistja Ulpiana Emra dhe njohësja e madhe e basketbollit femëror, tregon se si e sheh edicionin e ri. 

“Superliga e Kosovës në konkurrencën e femrave çdo vit ka pasur ngritje megjithatë këtë vit po e shoh një rënie në konkurrencë pasi në garë për trofe mendoj që do të jenë vetëm dy ekipe dhe jo tre sikurse kanë qenë në vitet e fundit”, - thotë Emra për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Cilat ekipe do të luftojnë për titull dhe cila ka përparësi më shumë?

“Befasia e kësaj sezone është ekipi Peja 03, që u inkuadrua këtë edicion për herë të parë në histori në Superligë dhe ka hyrë furishëm duke u përforcuar maksimalisht dhe duke ia marrë edhe Prishtinës por edhe Penzës lojtaret kryesore, duke i lënë jashtë favoriteve dy ekipet që gjithnjë kanë dominuar në basketbollin femëror bashkë me Bashkimin. 

Gjithsesi përparësi edhe këtë sezon mendoj që do të kenë fitueset e kurorës së trefishtë, vashat e Bashkimit.

Ekipi prizrenas e ka ruajtur bazën e lojtareve vendore të cilat edhe kanë qenë kyqe drejt titujve vitin e kaluar dhe me lojtaret që i kanë shtuar në përbërje mendoj që do të e kanë një përparësi për shkak të komponimit që e kanë gjithashtu në krye të ekipit ka vazhduar edhe trajneri Kovaç i cili ka bërë punë të shkëlqyeshme.

Gjithsesi konkurrenca mes Bashkimit dhe Peja 03 do të jetë e madhe duke e marrë parasysh organizimin e skuadrës së Pejës dhe përforcimet që i kanë bërë definitivisht do të shohim basketboll mjaft cilësor”, tha ish reprezentuesja e Kosovës.  

Emra ka befasuar për klubin Prishtinën, duke thënë se nuk e sheh edhe favorite: “Prishtinën e shoh një hap prapa këtyre dy skuadrave por jo edhe për t’u nënçmuar pasi ka lojtarë me përvojë ende në përbërje”. 

A mendoni se Liga Unike Kosovë – Shqipëri, ka sjell edhe rritje të cilësisë të femrat dhe cila është e mira e kësaj lige?

“Sipas mendimit tim Liga Unike në konkurrencën e femrave vitet e kaluara ka qenë mjaft e fortë dhe me konkurrencë të madhe.

Secila ndeshje që është luajtur ka qenë derbi dhe ka ndikuar në ngritje të nivelit por ajo që nuk ka qenë ferr sipas meje ishin rregullat e vendosura ku secila federatë i zbatonte rregullat e veta dhe numri i lojtarëve të huaja nuk ishte i barabartë.

Kjo po të përmirësohej po besoj që do të kishim ndeshje edhe më të bukura dhe gjithçka do të ishte më korrekte”, ka përfunduar Emra..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat