Jeta Zeka: Ky sukses në Superkupë, na motivon shumë për kampionat 

Basketboll

Jeta Zeka: Ky sukses në Superkupë, na motivon shumë për kampionat 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 8 tetor 2023 Në ora: 13:48
Jeta Zeka

Bashkimi i Prizrenit e ka filluar me këmbë të mbarë edicionin e ri në basketbollin femëror.

Prizrenaset shënuan fitore në finale të Superkupës së Kosovës, me rezultat 57:49 ndaj Prishtinës.

Ndër basketbollistet që dha atomin e fundit për këtë sukses të madh është edhe Jeta Zeka.

Basketbollistja është krenare me trofeun e Superkupës së Kosovës por synon edhe titullin dhe Kupën. 

“Sigurisht, triumfi në Superkupë është i mirëseardhur pasi me këtë turne paralajmërohet edhe fillimi i sezonit. 

Mund të them se Bashkimin në finalen e Superkupës por edhe gjysmëfinale e ka veçuar angazhimi dhe loja kolektive”, thotë Zeka për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Basketbollistja tha se finalja ka qenë shumë e vështirë por angazhimi maksimal i të gjithëve, mundi dhe djersa u shpagua me trofe.

“Nuk ishte aspak e lehtë finalja ndaj Prishtinës, por në fund ia dolëm ta mbrojmë trofeun e fituar vitin e shkuar.

Ky sukses na motivon shumë për kampionat kur dihet se këtë sezon konkurrenca është e fortë dhe do të kemi më shumë derbi, e mirëseardhur kjo për basketbollin e femrave”, ka nënvizuar ajo. 

Synimi i Bashkimit është që t’i mbledhin të gjitha trofetë e mundshme në edicionin e ri.

“Të motivuara dhe të gatshme do të futemi në kampionat, por duke respektuar secilin kundërshtar.

Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të futemi për fitore ne secilën ndeshje.

Besoj se do të jetë një kampionat i fortë dhe basketbolli i femrave këtë herë do të ketë edhe vëmendje më të madhe mediatike, por edhe shikueshmëri”, ka përfunduar Zeka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat