Ylli e ndal Trepçën

Basketboll

Ylli e ndal Trepçën

Më: 4 prill 2024 Në ora: 22:31
Ylli

Golden Eagle Ylli e ka përfunduar me fitoren edicionin e rregullt të Prince Caffe Superligës, duke mundur Trepçën 81:79 (19:18, 20:23, 20:15, 22:23), në javën e 28-të.

Kjo ishte humbja e parë për mitrovicasit në elitë pas 20 fitoreve, ku pikërisht në xhiron e shtatë ishin mundur nga therandasit.

Kjo njëherësh ishte edhe ndeshja e fundit për garat e rregullta, kurse “Play-off”-i fillon të dielën. Trepça është kualifikuar direkt në gjysmëfinale nga vendi i parë me 25 fitore e tri humbje, derisa Peja u rendit u rendit e dyta me 19 fitore e nëntë humbje.

Golden Eagle Ylli me 19 fitore e nëntë humbje u rendit e treta dhe në çerekfinale do të ndeshet me Bashkimin, derisa çifti tjetër çerekfinal është Sigal Prishtina-Vëllaznimi.

Në çerekun e parë, vendasit kishin pesë e gjashtë pikë epërsi, por mitrovicasit nuk lejuan shkëputjen e tyre, ku kjo pjesë përfundoi 19:18. ‘Xehetarët’ vazhduan me lojë të mirë dhe në periudhën e dytë u shkëputën në 34:41, sidoqoftë, pjesa e parë përfundoi 39:41.

Në periodën e tretë, ishte radha e therandasve të kishin epërsi deri në shtatë pikë, 53:46, derisa edhe rezultati pas 30 minutash ishte 59:56. Por, drama nuk kishte përfunduar, madje u zhvillua deri në sekondat e fundit, megjithatë Ylli kësaj nuk lëshoi lojën nga dora dhe triumfoi 81:79.

Te vendasit më i miri ishte Alonzo Verge Jr me 35 pikë e shtatë kërcime, derisa te mysafirët, Darnell Edge kishte 26 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat