Presidenti i Shqipërisë dekoron Fagun me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Basketboll

Presidenti i Shqipërisë dekoron Fagun me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Më: 15 shtator 2017 Në ora: 14:42
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi sot me një ceremoni solemne ish-basketbollistin dhe diplomatin e shquar Agim Fagu

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi sot me një ceremoni solemne ish-basketbollistin dhe diplomatin e shquar Agim Fagu, duke i akorduar dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin:

“Me mirënjohje dhe vlerësim të thellë për veprën dhe kontributin madhor që ka dhënë për ngritjen e sportit të basketbollit në nivelet më të larta ndërkombëtare, si personalitet i shquar në njohjen dhe lartësimin e vendit tonë në botë”. Presidenti Meta theksoi në fjalën e tij: “Pak ditë më parë mora një kërkesë të nënshkruar nga personalitete të jashtëzakonshme të jetës instucionale të sportit, kulturës, të arsimit, në mënyrë të veçantë, që udhëhiqej nga Presidenti Moisiu, ku mua më bëri përshtypje një apel brenda kërkesës dhe vlerësimit për këtë figurë dhe personalitet të jashtëzakonshëm, ku thuhej: Zoti President, ka dekorata që nderojnë njerëzit, por ka dhe njerëz që nderojnë dekoratën.

Dhe Agim Fagu është pikërisht një i tillë. Jam i bindur se dekorata e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ashtu edhe personaliteti i Agim Fagut nderojnë më së miri njëra-tjetrën. Kjo figurë e jashtëzakonshme dhe komplekse, ndërthur si rrallë dhe në mënyrën më të shkëlqyer figurën e sportistit të niveleve më të larta europiane dhe botërore me atë të qytetarit, intelektualit dhe të diplomatit të shkëlqyer.” Zoti Agim Fagu falënderoi Presidentin Meta “për fjalët, të cilat ndoshta disa herë i kalonin kufijtë e së vërtetës, por le ta gjykojnë të tjerët dhe ju falënderoj dhe për atë që të gjithë këtë respekt dhe dashuri të shqiptarëve që ju i ligjëruat në një dekret duke më vlerësuar mua me dekoratën më të lartë të vendit".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat