Sigal Prishtina vetëm një hap larg finales

Basketboll

Sigal Prishtina vetëm një hap larg finales

Më: 28 prill 2018 Në ora: 21:13
ilustrim

Sigal Prishtina e ka fituar edhe ndeshjen e dytë gjysmëfinale ndaj Golden Eagle Yllit, e vlefshme për play-off-in e IP Superligës së Kosovës. Kryeqytetasit kanë fituar me rezultat të ngushtë 80:75 dhe tani kanë nevojë vetëm edhe për një fitore për të siguruar kualifikimin në finale. Derisa në pjesën e parë Sigal Prishtina dominoi në tërësi dhe në pushim shkoi me epërsi 47:28, pjesa e dytë, e sidomos çereku i katërt ishte krejtësisht ndryshe.

Së pari, në dhjetëminutëshin e tretë mysafirët u treguan rivalë plotësisht të barabartë dhe ky çerek përfundoi me shifrat 21:21. Ndërsa, në dhjetë minutat e fundit skuadra nga Theranda ishte dukshëm më e mirë, duke e fituar këtë pjesë të lojës me 26:12, por që nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. “Pas pjesës së parë në të cilën ishim shumë të mirë, në të dytën u treguam shumë joseriozë. Disa nga lojtarët tanë menduan vetëm për statistikat e tyre personale. Ne kemi nevojë për lojë ekipore, sepse vetëm kështu mund të arrijmë sukses”, ka thënë pas ndeshjes trajneri Andin Rashica.

Kapiteni Edmond Azemi dhe Granit Rugova ishin më efikasit te Sigal Prishtina me nga 19 pikë, ndërsa Fisnik Rugova e Alban Veseli i shtuan nga 14 sosh. Me nga 19 pikë ndeshjen e përfunduan edhe Michael Garmon dhe Alexis Wangmene te Golden Eagle Ylli, ndërsa Artin Gashi i shënoi 16 pikë. Ndeshja e tretë ndërmjet këtyre skuadrave zhvillohet në Therandë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat