Trajneri i Eintracht nuk i frikësohet Realit

Futboll

Trajneri i Eintracht nuk i frikësohet Realit

Më: 10 gusht 2022 Në ora: 14:42
Oliver Glasner

Është një duel që rikthehet pas plot 62 vitesh dhe kjo ndodh pikërisht sonte, në Superkupën e Evropës, që është përballja tradicionale që ngre siparin e futbollit kontinental të klubeve e ku përballë njëra-tjetrës do të jenë Reali i Madridit dhe Eintrahti i Frankfurtit.

Pasi e nisi sezonin e ri futbollistik me një fitore të lehtë dhe një paraqitje të spikatur të blerjes më të re të verës, Mario Gëtzes, në turin e parë të Kupës së Gjermanisë, Frankfurt u kthye me forcë me këmbët në tokë të premten e shkuar, me atë humbje të thellë, 1-6, të pësuar në shtëpi në premierën e sezonit të ri të Bundesligës përballë Bayern Munich.

Trajneri Oliver Glasner nuk e kafshoi gjuhën pas asaj ndeshjeje duke kërkuar një reagim të menjëhershëm, teksa kërkon që fituesja e sezonit të shkuar të Ligës së Evropës, të mbetet në po ato nivele.

 “Ky është shpërblimi për një sezon të shkëlqyer, pra, të përballemi me Realin e Madridit, një skuadër me cilësi të jashtëzakonshme dhe që sezonin e shkuar eliminoi disa nga skuadrat më të mira të Evropës. Ajo që ne dëshmuam në Ligën e Evropës sezonin e shkuar është se gjithmonë ka një shans në futboll dhe kjo vlen edhe të mërkurën. Ne do të luajmë me besim në vetvete, sepse e dimë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë”, ka përfunduar trajneri i Eintrahtit të Frankfurtit, Oliver Glasner.

Ndërkaq, portieri Kevin Trap, pohoi se “sigurisht që kam shumë emocione, sepse do të përballem në Superkupën e Evropës me Realin e Madridit”.

“Detyra ime është që ta mbaj rrjetën të paprekur, kështu që ajo nuk ndryshon, edhe pse e di që do të kem përballë lojtarë mjaft cilësorë të tillë si Vinícius Junior apo Karim Benzema, por ne jemi gati”, ka përfunduar gardiani i portës së skuadrës gjermane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat