Fitimet e Interit

Futboll

Fitimet e Interit

Më: 12 nëntor 2023 Në ora: 11:34
Inzaghi e Zhang

Simone Inzagi mbërriti në Milano në verën e vitit 2021, në vend të “të arratisurit” Antonio Konte dhe deri më tani i ka tejkaluar parashikimet. Është e vërtetë që titulli po mungon ende, por trajneri ka fituar 4 trofe, dy Kupa të Italisë dhe po aq Superkupa italiane, madje ka shkuar edhe në finalen e Ligës së Kampioneve.

ARKAT ME INZAGIN – Në planin ekonomik, megjithatë, nuk ka argumente që mund të kundërshtohen.

Krahasuar me një pagë që ka sjellë në xhepat e Inzagit pak a shumë 11 milionë euro në më pak se dy sezone e gjysmë, Interi ka marrë në këmbim nga UEFA 225 milionë euro, vetëm për rrugëtimin e skuadrës në Ligën e Kampioneve në 2021- 2022-shin, 2022-2023-shin dhe edicionin aktual.

Një thesar që trajneri, falë fitores së të mërkurës në Salcburg, që rezultoi në kualifikimin e hershëm në 1/8-at, do ta pasurojë edhe më shumë falë 50 milionëve që klubi do të marrë nga FIFA për pjesëmarrjen në Botërorin e Klubeve në 2025-ën. Kualifikimi i Interit për turneun e ri nuk është ende zyrtar, por në fakt aritmetik falë rezultateve të marra në Europë mes viteve 2020 dhe 2024. Zikaltrit do të fluturojnë në ShBA falë pozicionit të tyre në UEFA dhe në FIFA, ku janë ekipi më i mirë italian.

PËRBALLJA ME KONTEN – 225 milionë euro prej çmimeve të UEFA-s plus 50 për bonusin e ardhshëm për Botërorin e Klubeve në total bëjnë 275 milionë (pa llogaritur arkëtimet e biletave, të cilat ishin shumë të larta sidomos vitin e kaluar).

Vlera sigurisht që mund të rritet nëse Interi fiton ndeshjet e mbetura në grup apo më tepër akoma ato të 1/8-ave (fitorja paguhet 2.8 milionë, barazimi 930 mijë euro). Të gjitha pa marrë parasysh kualifikimin e mundshëm në çerekfinale, 10.6 milionë euro. Që kur Inzagi ka qenë në stol, Interi ka parë rritje të fitimeve nga garat e UEFA-s.

Në periudhën dyvjeçare të Kontes, me dy eliminime në grupet e Ligës së Kampioneve, vetëm arritja në finalen e Ligës së Europës në verën e vitit 2020 kishte ndihmuar për të arritur shifra vendimtare: 61.5 milionë në sezonin 2019-2020 dhe 38 në sezonin 2020-2021. Diferenca me Inzagin është e dukshme dhe për një klub që ka pasur bilance negative financiare prej vitesh, Simone Inzagi duket si një dhuratë Krishtlindjesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat