Shqipëria në kërkim të rekordeve

Futboll

Shqipëria në kërkim të rekordeve

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 18:40
Shqipëria

Shqipëria e realizoi objektivin: u kualifikua në Europianin e Gjermanisë, duke u renditur e para në Grupin E. Skuadra kuqezi pësoi vetëm 1 humbje në këtë rrugëtim, duke u mundur në nisjen e kualifikueseve, në Vashavë, nga Polonia, e në vijim nuk arriti ta mundë askush.

Kuqezinjtë në vijim arritën që të barazonin në 3 ndeshje e të fitonin 4 takimet e tjera.

Ndërkohë, triumfuan dhe në një miqësore me Bullgarinë. Një seri prej 8 ndeshjesh pa humbje, që është regjistruar vetëm një herë në të shkuarën. Bëhet fjalë për periudhën 2009-2010, kur kuqezinjtë po ashtu patën një seri prej 8 ndeshjesh radhazi pa humbje.

Sa u takon sfidave në shtëpi, kuqezinjtë nuk munden prej më shumë se 1 viti, teksa kanë marrë 5 fitore dhe një barazim në shtëpi në gjashtë ndeshjet e fundit si pritës. Gjatë kësaj periudhe, askush nga ekipet kundërshtare nuk e ka provuar shijen e golit në “Air Albania”.

Po në periudhën 2009-2010 kuqezinjtë kanë ecurinë më të mirë në shtëpi, teksa asokohe nuk pësuan humbje në 9 ndeshje radhazi në shtëpi. Dy rekorde që Kombëtarja aktuale synon t’i thyejë në ndeshjet e vitit 2024, pasi skuadra do të kthehet në fushë në muajin mars, ku do të luajë 2 ndeshje miqësore.

Kundërshtarët do të përcaktohen pas shortit të datës 2 dhjetor, që do të hidhet në Frankfurt të Gjermanisë.  Shqipëria do të marrë pjesë për të dytën herë në Kampionatin Europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat