Osmani: Të mposhtim edhe Kukësin

Futboll

Osmani: Të mposhtim edhe Kukësin

Më: 9 janar 2024 Në ora: 16:12
Osmani

Vllaznia luajti dy miqësore për 24 orë, teksa fillimisht të dielën fitoi 1-3 në Laç, ndërsa dje kundër Besëlidhjes në fushën “Reshit Rusi” në Shkodër barazoi 2-2. Stafi teknik duket se i ka marrë më të mirën kësaj minifaze përgatitore në prag të rifillimit të kampionatit, me kuqeblutë që e nisin më 14 janar kundër Kukësit në stadiumin “Loro Boriçi”.

Pas testit të djeshëm kundër lezhjanëve ka folur trajneri Qatip Osmani, i cili ka mbetur i kënaqur nga reagimi i skuadrës.

Ai vlerësoi edhe angazhimin e lojtarëve të rinj, të cilët morën më tepër minuta në ndeshjen e dytë miqësore.

“Këto janë ndeshje që vlejnë për ne, për të shikuar jo vetëm atë që jep ekipi i parë, por edhe lojtarët e tjerë që do të na duhen në vazhdimësinë e sezonit. Mund të them se ka disa lojtarë interesantë, që do t’i bëjnë mirë ekipit.

Janë futbollistë që ia vlejnë për t’i vlerësuar dhe për më tepër shikoj se kanë diçka më shumë se moshatarët e tyre”, ka thënë fillimisht Osmani.

Vllaznia luajti me Besëlidhjen edhe në 30 dhjetor, por në atë ndeshje miqësore trajneri pati kritika.

“Kjo miqësore e dytë ishte më e mirë sesa ajo që zhvilluam në fund të vitit. Kishte më shumë grintë, më shumë lojë. Jam i kënaqur, sepse kam parë lojtarë që shumë shpejt mund të jenë pranë ekipit të parë”, deklaroi kreu i pankinës. I pyetur nëse Vllaznia është e gatshme për të fituar ndeshjen e radhës në kampionatin ndaj Kukësit, trajneri kuqeblu deklaroi: “Po, jemi plotësisht të gatshëm.

Në këtë takim do të kemi dy mungesa të rëndësishme si Hakaj dhe Juriç, por është një gjë pozitive që na është rikthyer Gruda, i cili ka lënë pas dëmtimin.

Sigurisht që mungesa e Hakajt dhe Juriç është e ndjeshme në mbrojtje, por unë jam i bindur se Vllaznia ka lojtarë që do të dinë që t’i zëvendësojnë denjësisht”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat