E diel e zjarrtë

Futboll

E diel e zjarrtë

Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 14:26
Foto ilustrim

Numërimi mbrapsht ka nisur për të dielën e jashtëzakonshme të futbollit.

Ndërthurja e fatit e ka bërë ndoshta ditën më spektakolare të kalendarit futbollistik në kampionatet kryesorë të Europës, luhen Inter-Juventus, Arsenal – Liverpool, Real Madrid – Atletico, Lyon – Marsejë.

Në Itali, përtej rivalitetit të përjetshëm mes Inter dhe Juves, penalltisë së padhënë të Ronaldo fenomenit, Calciopolit këtë herë derbi i Italisë vjen me aromën e titullit. Interi kryesues, me statusin e skuadrës më të fortë të kampionatit dhe me një ndeshje më shumë në dispozicion, pret rivalët kryesorë për Scudetton, Juventusin e Max Allegrit, që kërkon fitoren për parakalimin e madh në një sfidë që i jep drejtim kampionatit.

Sfidë e jashtëzakonshme bomberash mes Lautaro Martinez dhe Vlahovic, të njëjtët që shënuan dhe në barazimin 1-1 të fazës së parë, por këtë herë pritet një sfidë shumë më e ndezur, pasi të dyja skuadrat e dinë që luhet gjithçka për gjithçka. 

Vështirësi përzgjedhjeje për orarin pasi vetëm 15 minuta më pas, nis Real – Atletiko. Derbi i Madridit me Los Blancos kryesues të kampionatit, që kërkojnë kurorën e mbretërve të La Ligas, me luftëtarët Los Colchoneros që kërkojnë t’u vënë stërkëmbëshin në një sfidë që ka ofruar spektakël të jashtëzakonshëm. Në javët e fundit prodhuan dy përballje spektakolare.

Sfida që duhet t’i zgjidhni pasi të keni parë natyrisht një ndër klasiket e futbollit anglez. Në orën 17.30 në nis Arsenal – Liverpool. Përballen dy prej skuadrave më spektakolare të kampionatit më të fortë në botë. Liverpuli kryesues me Klopp që në sezonin e tij të fundit, kërkon të lërë Anfield me titullin kampion, në transfertën më delikate përballë Topçinjve të Artetës, me futboll spektakolar dhe 5 pikë më pak se të kuqtë që te kjo sfidë shohin ndoshta shansin e fundit për t’i futur marshin e titullit të shumëëndërruar, që vjet e humbën vetëm në javët e fundit. Do të jetë padyshim një betejë spektakolare e denjë për ti mbajtur të gjithë me frymën pezull.

Sikur të mos mjaftonin 3 sfidat kryesore të kampionateve më të fortë të kontinentit, nga Ligue 1 vjen një tjetër klasike, Lyon-Marsejë, dy prej skuadravve më të titulluara dhe me histori të futbollit francez që pavarësisht klasifikimit, duan të tregiojnë se fisnikëria e kampionatit mbeten ato në një 90 minutësh që mbart dekada rivalitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat