Tirana mbron trajnerin që u kërcënua me thikë

Futboll

Tirana mbron trajnerin që u kërcënua me thikë

Më: 22 mars 2018 Në ora: 13:45
Trajneri i Tiranës me lojtarë

Sulmi me thikë dhe kërcënimi verbal ndaj Migen Memellit, ndodhur paraditen e sotme, ka bërë që të reagojë fort edhe klubi bardheblu. Përmes një deklarate për shtyp, drejtuesit e 24 herë kampionëve të vendit kanë dalë në mbështetje të trajnerit të tyre, duke premtuar marrjen e masave të duhura për evitimin e ngjarjeve të tilla, që nuk kanë të bëjnë me imazhin e klubit të tyre, që gjthmonë ka qenë si një familje e madhe: “KF Tirana dënon ashpër incidentin e ndodhur sot në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”. Dhuna verbale dhe fizike e ushtruar ndaj trajnerit të Tiranës U-17 nga prindi i një futbollisti ndaj Migen Memellit meriton dhe do të dënohet. Klubi ka marrë menjëherë të gjitha masat për të mbështetur trajnerin Migen Memelli. KF Tirana do të marrë masa të tjera për të mbajtur sa më larg prindërit, që jo vetëm dëmtojnë fëmijët e tyre, por cënojnë edhe integritetin e trajnerëve dhe imazhin e një klubi, që gjithmonë ka funksionuar si një familje e madhe. Probleme të ngjashme janë hasur dhe në të shkuarën dhe KF Tirana ka punuar gjithmonë për t’i mbajtur larg prindërit nga fëmijët dhe problemet”.
Ndërkohë, policia ka bërë të mundur arrestimin e agresorit, që është 47-vjeçari Abdyl Çeku. Babai i lojtarit të Tirana U-17, i denoncuar nga Memelli, është vënë nën akuzën e “kanosjes për shkak të detyrës”.

Ja njoftimi i policisë
Në vijim të ngjarjes së ndodhur te fusha e sportit “Skënder Halili”, ju informojmë se: Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Abdyl Çeku, 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi rreth orës 09:50, tek fusha e sportit në Qytetin e Nxënësve, është konfliktuar, duke e goditur me grusht, me trajnerin e ekipit U-17, shtetasin M.M., për shak se djalin e tij nuk e ka përfshirë në lojë. Materialet proçeduariale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjygjësor Tiranë për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat