Roma e përmbysi humbjen e thellë 4-1 në ndeshjen e parë dhe e mposhti Barcelonën 3-0 në ndeshjen e kthimit në shtëpi për të kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Derisa rezultati i ndeshjes dhe implikimet e tij në Spanjë dhe Itali natyrisht janë mbuluar gjerësisht nga mediat botërore, rezultati e ka tronditur botën e futbollit.
Gazeta më e madhe sportive në Francë “L’Equipe”, nxori një paralele mes këtij rikthimi spektakolar dhe rikthimit të jashtëzakonshëm të Barcelonës kundër Paris Saint-Germainit vitin e kaluar.
“Por, Barcelona nuk është PSG. Apo kështu kemi menduar ne. Duket se ka qenë e shkruar”, thekson gazeta franceze.
Ndërkohë, revista franceze “France Football” e nisi artikullin e saj me “duke dominuar nga një qosh në tjetrin kundër katalanëve të parrezikshëm, Roma, e mposhtur bindshëm në ndeshjen e parë (1-4), ia doli të kualifikohet në gjysmëfinale duke e shkatërruar Barçën. Thjesht e jashtëzakonshme”.
Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” e ka quajtur “njëri prej rikthimeve më të shquara në histori të Ligës së Kampionëve”, duke deklaruar “për Romën pati momente që do të zgjasin tërë jetën”.
E përditshmja amerikane “The New York Times” e vlerësoi eliminimin e Barcelonës dhe Manchester Cityt. “Për Liverpoolin dhe Romën, arritja në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve është bonus i papritur, një ëndërr e pamundur”. “Për Manchester City dhe Barcelonën, duke mos e bërë këtë është në një mënyrë dështim”.
Ndërkohë, e përditshmja gjermane “Bild” shkroi: “Roma thjesht shpërtheu, Messi jashtë”, para se të theksonte se “Roma ia doli ta bëjë të paimagjinueshmen dhe të kalojë në gjysmëfinale”.