Santos: Ronaldon e bëra unë sulmues

Futboll

Santos: Ronaldon e bëra unë sulmues

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 11:32
Santos

Pas paraqitjes fantastike ndaj Spanjës, Kristiano Ronaldo dhe Portugalia bëhen gati për të zbritur sërish në fushë sot për ndeshjen e dytë kundër Marokut. Fernando Santos paralajmëron skuadrën e tij që duhet të luajë më mirë se kundër Spanjës për të mposhtur rivalët e sotëm.

Trajneri portugez parashikon një ndeshje të vështirë. “Maroku është një nga ekipet më të mira në Afrikës dhe ka një trajner të shkëlqyer. Është një ekip shumë mirë i organizuar me lojtarë të shpejtë dhe cilësi të mira teknike. Duhet të luajmë me pasion, intensitet dhe përqendrim. Nëse i kombinojmë të gjitha këto, atëherë kemi shanse për të fituar. Nëse gjërat nuk funksionojnë, nuk ka një shkop magjik, por unë mendoj se Portugalia ka kualitetin për të bërë më mirë se kundër Spanjës”, tha Santos në konferencë.

Sytë do të jenë sërish te kapiteni Ronaldo pas asaj triplete të çmendur në debutim. Por, çfarë kërkon Santos nga sulmuesi kundër Marokut? “E rëndësishme është që Kristiano të rikthehet dhe shënojë dhe që pjesa tjetër e ekipit të jetë në nivelin më të mirë”. Dhe një pyetje që i kërkon Santosit nëse Portugalia ka përfituar nga ndryshimi i pozicionit të CR7 në Madrid, merr këtë përgjigje: “E keni gabim. Kristiano nisi të luajë në një tjetër rol me mua, jo në Madrid. Mendova se ai mund të bënte më shumë në atë pozicion”.

Por, a mund të shpallet 33-vjeçari golashënues në Rusi? “Duket sikur jemi në një ndeshje tenisi apo gare atletike. Ne jemi në Kampionatin Botëror dhe duhet ta respektojmë më shumë Marokun. Të gjitha pyetjet paralele nuk më interesojnë”. REKORDI? – Por, Ronaldo vazhdon të habisë me formën e tij fizike. Mediat portugeze kanë arritur të matin shpejtësinë e një sprinti të tij në ndeshjen kundër Spanjës dhe, sipas tyre, ajo arriti në 40km/h. Në pritje të verifikimeve nga FIFA, “Topi i Artë” do të duhet të presë edhe pak për të konfirmuar rekordin më të ri botëror të shpejtësisë së një futbollisti. Deri atëherë, ai ka se me çfarë të krenohet. Sot mund të thellojë rekordin e tij të golave, ndërsa përballë pritet të ketë një tjetër shok të klubit, Ashraf Hakimin. Kur nuk e ndali Ramos dhe Pike, a do arrijë 19-vjeçari dhe Benatia ta frenojnë?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat