​MKRS konfirmon marrëveshjen me FFK-në për “Fadil Vokrrin”, shpalosen detajet

Sporti

​MKRS konfirmon marrëveshjen me FFK-në për “Fadil Vokrrin”, shpalosen detajet

Më: 24 dhjetor 2023 Në ora: 12:39
Daulina Osmani

Renovimi dhe ndërrimi i barit në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” nuk do të nisë deri në pranverën e viti 2024. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani.

Në fund të muajit nëntor, Federata e Futbollit të Kosovës doli me njoftim që ky stadium do të mbyllet për të gjitha aktivitete sportive pasi është dëmtuar në masë të madhe bari i saj për shkak të numrit të madh të ndeshjeve ndërkombëtare të zhvilluara në të.

FFK gjithashtu bëri të ditur se është arritur një marrëveshje me MKRS-në për ndërrimin e barit në këtë stadium, marrëveshje të cilën e ka konfirmuar tashmë edhe Osmani. Sipas saj, komunikimi ndërmjet MKRS-së dhe FFK-së për këtë çështje ka qenë që nga muajt e verës, por kalendari i ngjeshur i ndeshjeve nuk lejonte hapësirë për ndërhyrje të tilla.

Osmani: Rinovimi i fushës në “Fadil Vokrri” nis në mars

“Ne kemi qenë në komunikim me Federatën e Futbollit për sa i përket stadiumit ‘Fadil Vokrri’ që nga muajt maj dhe qershor kur ishin ndeshjet e më hershme që kishin probleme pikërisht për shkak të shiut të madh. Mirëpo, duke marrë parasysh agjendën shumë të ngarkuar të garave dhe ndeshjeve ndërkombëtare që janë zhvilluar në Kosovë, ishte e pamundur të bëhej intervenimi i ndërrimit të barit të fushës për shkak se si procedurë në bazë të ekspertëve të UEFA-së më të cilët konsultohet FFK-ja, minimumi do të duhen 60 ditë që të bëhet ndërrimi barit aktual në barë të ri. Periudha kur filluan ndeshjet, përsëri ishte koha shumë e ftohët, nuk është një intervenim që kryhet brenda javës sepse po të ishte, padyshim se do ta ndërmerrnim. Andaj, jemi dakorduar që në përfundim të vitit të agjendës së garave sportive, të kalendarit sportiv të Federatës së Futbollit, të nis vlerësimi i gjendjes ekzistuese si dhe hartimi i projektit për ndryshim të barit, gjë të cilën kjo është marrëveshja që e kemi arritur. Tani duhet ta ndjekim pak a shumë edhe motin edhe kohën, e dimë që bari nuk mund të rritet në stinën e dimrit, mirëpo po synojmë që në periudhën e marsit, në një afat 60 ditor të përmirësohet dhe të rregullohet edhe stadiumit “Fadil Vokrri”, tha Osmani.

Ajo shtoi se një grup ekspertësh po vazhdon të bëjë një analizë të thellë për të kuptuar nëse stadiumi “Fadil Vokrri” mund të rinovohet e zgjerohet, por që rezultate e para nga kjo analizë bëjnë të ditur se ky intervenim nuk do të mund të bëhet për shkak të vjetërsisë së strukturës së stadiumit.

Osmani: “Fadil Vokrri” nuk ka kapacitet për renovim dhe zgjerim

“Rezultatet përfundimtare nuk janë ende, mirëpo në bazë të rezultateve preliminare nuk ka kapacitet stadiumi. Ndërtimi që është, është shumë i vjetër, nuk ka kapacitet për zgjerim për shkak se ideja fillestare së bashku me FFK-në që të bëhet zgjerimi i ‘Fadil Vokrrit’, të shtohen edhe rreth 10.000 ulëse në këtë stadium. Andaj, do ta presim produktin final, rezultatin final të gjendjes ekzistuese, të analizës dhe nëse do të na rekomandohet intervenimi, atëherë do të intervenojmë, nëse jo, duhet ta gjejmë një hapësirë tjetër në të cilën padyshim se do të plotësohet edhe zotimi jonë i Lojërave Mesdhetare për ndërtimin e stadiumit të ri, të quajtur nacional për të cilin gjatë vitit të ardhshëm po synojmë ta definojmë lokacionin përmes studimit te fizibilitetit.”, theksoi Osmani.

Ndryshe, stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi në Kosovë që posedon licencë të UEFA-së për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe kjo ka bërë që ai të stërngarkohet dhe të mos e përballojë një kalendar të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat