​Mbahet tryeza e pestë për sportin, premtohet mbështetje edhe më e madhe për federatat

Sporti

​Mbahet tryeza e pestë për sportin, premtohet mbështetje edhe më e madhe për federatat

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 14:29
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës kanë mbajtur tryezën e radhës ku po diskutohet për ligjin e ri të sportit i cili do të sjellë ndryshime dhe reforma të shumta për mënyrën se funksionimit të federatave sportive dhe sportit në përgjithësi.

Me këtë rast, zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani ka bërë të ditur se gjatë vitit 2023 sporti ka marrë mbështetjen më të madhe sportive ndër vite.

Sipas Osmanit, sporti u mbështet me mbi 25 milionë euro, 10 milionë prej të cilave ishin si mbështetja direkte nga ana e MKRS-së dhe 15 të tjera nga Ligji i Sponsorizimit.

Osmani: Buxheti për federatat sportive është rritur për 5.5 milionë euro

Për më shumë, në vitin 2023 e përmbyllëm me mbi 25 milionë euro mbështetje direkte për aktivitete sportive në vend, 10 milionë mbështetje direkte nga Ministria e Sportit si dhe 15 milionë euro të tjera nga Ligji i Sponsorizimit. Kjo është mbështetja më e madhe financiare të cilën e ka marr sporti vendor ndër vite e të cilën këtë vit po synojmë ta rrisim edhe më shumë. Gjatë javës së kaluar kemi nënshkruar memorandumet e bashkëpunimit për financim të federatave sportive për vitin 2024 në vlerë prej 5.5 milionë eurove e cila reflekton një rritje prej 112 përqind në krahasim me vitin 2022 dhe kjo është vetëm mbështetja bazë me të cilën do të funksionohet gjatë vitit 2024 përtej kanaleve të tjera të financimit të cilat i kemi”, ka thënë Osmani.

Nga ana tjetër, Presidenti i komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi tha se ligji i sportit të Kosovës ka nevojë që të kalojë nëpër një reformë të re e cila hap rrugë edhe për përfitime dhe benefite shumë më të mëdha për sportin e së ardhmes.

Krasniqi: Në vitin 2024 kemi tri sfida serioze para nesh

Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm edhe në infrastrukturën ligjore e cila është në shërbim të sportit dhe një trampolinë për t’iu asistuar proceseve të shumta rreth sportit. Megjithatë, është mëse e domosdoshme që kjo infrastrutkurë të kalojë në reforma ligjore të sportit benefitet e së cilës benefitet e së cilës do të ndihen në çdo pore të sportit tonë...Pjesë e organizimeve ndërkombëtare do të jetë edhe Komiteti Olimpik i Kosovës ku në muajin nëntor do të mirëpresim rreth 33 përfaqësues të shteteve të ndryshme në organizimin e platformës evropiane të sportit në të cilin për tri ditë do të diskutohen tema të ndryshme, pra Lojërat Olimpike Parisi 2024, Los Angelos 2028 dhe Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë sfidat serioze që na presin së bashku”, theksoi Krasniqi.

Kurse Presidenti i Komitetit Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli theksoi nevojën për një bashkëpunim më të thellë në fushën e sportit ndërmjet dy vendeve në mënyrë që të arrihen më shumë sukses e medalje të fituara nga shqiptarët.

Yli: Bashkimi i forcave Kosovë-Shqipëri sjellë më shumë sukses në sport

“Sot Kosova njihet më shumë në arenën ndërkombëtare pikërisht prej sportit. Ne bashkë kemi më shumë bashkëveprim pikërisht përmes sportit...Ne nuk jemi në garë me njëri-tjetrin, por bashkë mund të garojmë më mirë, ne nuk konkurojmë bashkë kush të dal kampion, por bashkë mund të rrisim më shumë kampion, ne nuk numërojmë kush merr më shumë medalje, por nëse bashkojmë forcat mund të marrim më shumë medalje për kombin tonë. Bashkë mund të kemi më shumë fonde, qendra për stërvitje, më shumë trajner të kualifikuar, më shumë disiplina sportive, më shumë projekte në shërbim të sportit”, tha Ylli.

Ndryshe, pas këtyre diskutimeve e rekomandimeve, Ligji i ri për sportin do të shkojë për të marrë miratimin dhe votimin në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat