Letonia mban stërvitjen në ‘Adem Jashari’, besojnë në fitore kundër Kosovës

Sporti

Letonia mban stërvitjen në ‘Adem Jashari’, besojnë në fitore kundër Kosovës

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 19:53
Letonia

Përfaqësuesja e Letonisë në futboll, ka zhvilluar stërvitjen sonte në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, para miqësores me Kosovën.

Përzgjedhësi i Letonisë, Aleksandrs Starkovs, ka bërë të ditur për KosovaPress se ndeshja e nesërme do të jetë e rëndësishme për ta. Sipas tij, skuadra të cilën ai e udhëheqë përbëhet nga lojtarë të rinj, ndërsa ka shprehur respekt për përfaqësuesen e Kosovës. Ai tha se do të bëjnë gjithçka për të shënuar fitore.

Starkovs: Kemi respektin më të madh për përfaqësuesen e Kosovës

“Për ne do të jetë një ndeshje me rëndësi. Kemi ardhur këtu me lojtarë të rinj.. Kemi një atmosferë të mirë në ekipin tonë, poashtu kemi respektin më të madh për përfaqësuesen e Kosovës, sepse lojtarët e saj luajnë nëpër ekipe të njohura evropiane… Ne kemi një skuadër të re e cila bashkëpunon mes vete shumë mirë…Natyrisht ne do të bëjmë gjithçka për të shënuar fitore”, ka thënë Starkovs.

Kapiteni i përfaqësueses, portieri Andris Banjinc, tha se ndeshja e nesërme do të jetë e vështirë, por siç u shpreh ai, kanë ardhur në Kosovë për një rezultat pozitiv.

Banjinc: Jam i vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje e vështirë

“Nuk e njoh mirë përfaqësuesen e Kosovës, njoh disa lojtarë, e njoh Kryeziun…Kemi ardhur të marrim një rezultat pozitiv, jam i vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje e vështirë, janë lojtarë të rinj të cilët luajnë në fushën e tyre dhe do të përpiqen të dëshmohen”, theksoi Banjinc.

Kosova dhe Letonia do të përballen në ndeshjen miqësore të hënën mbrëma në stadiumin olimpik “Adem Jashari” të Mitrovicës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat