Besa kampione e Play-Off-it Nacional në kategorinë U17 

Futboll

Besa kampione e Play-Off-it Nacional në kategorinë U17 

Më: 25 qershor 2021 Në ora: 17:48
Besa kampione e Play-Off-it Nacional në kategorinë U17 

FC Besa ka arritur ta fitojë titullin e kampionit në Play-Off-in Nacional në grupmoshën nën 17 vjeç.

Në ndeshjen finale e cila u zhvillua të premten paradite në Kampin Nacional Edukativ të FFK-së në Hajvali, futbollistët e Besës arritën ta mundin Gjilanin, me rezultat 3:2.

Ndeshja u karakterizua me lojë interesante dhe rivalitet të madh deri në fund. Pejanët ishin më të mirë në pjesën e parë, kur krijuan epërsi 2:0, me golat e shënuar nga Etnik Bruti (26’) dhe Dion Berisha (33’). Në pjesën e dytë gjilanasit arritën të kthehen në rezultat, duke barazuar shifrat me golat e Albanit Halabakut (55’) dhe Flakron Qehajës (65’).

Megjithatë, në minutën e fundit pejanët shënuan golin e fitores, kur Etnik Bruti realizoi nga pika e bardhë, pasi paraprakisht brenda zonës u shkaktua ndërhyrje e palejueshme nga mbrojtja gjilanase. Kësisoj, Besa U17 u shpall kampione e këtij eventi, pas një turneu me ndeshje mjaft të forta dhe cilësore.

Njëherësh Besa, Gjilani dhe A&N, që zunë tri vendet e para në këtë turne, e siguruan pjesëmarrjen në Superligën U17 për edicionin e ri. Kupat për dy skuadrat finaliste i ndanë kryetari i LRF Prishtinës dhe njëherësh anëtari i KE të FFK-së, Ismajl Ajeti, dhe kryetari i LRF të Ferizajt, Afrim Haliti. Të shtunën në orën 9:00 do të zhvillohet finalja në kategorinë U13, ndërmjet Feronikelit dhe Ronit 19, derisa në orën 11:00, do të luhet finalja e kategorisë U15, ndërmjet Arsenalit dhe 2 Korriku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat